Trump vë në dyshim debatin me Harris, kandidati republikan do të pyetet nga FBI për atentatin e 13 korrikut

Kandidati republikan për president Donald Trump gjatë një intervistë për Fox News vuri në dyshim nëse donte të debatonte me zv.presidenten Kamala Harris më 10 shtator, një debat i organizuar më herët nga Biden. “Me siguri do të përfundoj duke debatuar” – tha Trump, por unë gjithashtu mund të arsyetoj që të mos e bëj atë debat”- shtoi ai.
Trump gjatë intervistës foli edhe për atentatin ndaj tij gjatë takimit elektoral në Pensilvani, ndërsa FBI vazhdon të hetojë se çfarë e motivoi sulmuesin, 20-vjeçarin Thomas Crooks. Ish-presidenti tha se gjatë kësaj jave do të merret në pyetje nga FBI lidhur me ngjarjen e 13 korrikut, por siguroi se ai do t’i vazhdojë tubimet në ambiente të hapura pavarësisht të shtënave ndaj tij dhe këmbënguljes së Shërbimit Sekret.
Të hënën zyrtarët e FBI-së thanë se policia kishte vënë re autorin që u përpoq të vriste Trumpin më shumë se një orë para të shtënave të 13 korrikut në Pensilvani, ndërsa i bëri foto dhe i ndau ato me oficerët e tjerë të zbatimit të ligjit, si person i dyshuar.
Gjatë intervistës, Trump mbrojti edhe komentet e senatorit JD Vance për “zonjat mace pa fëmijë”, duke thënë se ai thjesht po përpiqej të tregonte se sa shumë e vlerëson jetën familjare. Komentet e Vance të bëra në vitin 2021 që kritikonin zv.presidenten Kamala Harris dhe demokratë të tjerë si “një grup zonjash mace pa fëmijë që kanë jetë të mjerueshme” u rishfaqën pasi Trump zgjodhi senatorin e Ohajos si kandidat të tij për zv.president.
Kandidati republikan për president dha edhe një vlerësim edhe për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris. “Unë jam shumë mendje hapur, por mendova se ajo që bënë ata ishte një turp”, – tha Trump për Fox News, duke iu referuar kritikave të fundit, lidhur me skenën që dukej se portretizonte “Darkën e Fundit” të Leonardo Da Vinçit.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



