“Turi i midhjeve” – Një prej veçantive të Butrintit, pjesë e guidave turistike
Në afërsi të Parkut të Butrintit, turistët kanë mundësinë të shijojnë turet me varka, një eksperiencë që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet.
Udhëtimet u japin atyre rastin të vizitojnë kalanë e Ali Pashës dhe plazhet e virgjër, duke e kthyer qëndrimin në zonë në një kujtim të paharrueshëm.
“Ky udhëtim ishte një surprizë e mrekullueshme. Pamjet nga kalaja dhe plazhet ishin të pabesueshme, dhe guida na bëri të ndiheshim si vendas”, tha turistja.
“Nuk e kishim imagjinuar që në Shqipëri do të gjenim plazhe kaq të paprekura dhe një histori kaq të pasur. Turi me varka na dha një përvojë të paharrueshme”, tha turisti.
“Udhëtimi me varkë ishte pjesa më e bukur e pushimeve tona. Të vizitosh kalanë e Ali Pashës dhe të shijosh më pas midhjet ishte një eksperiencë unike”, shprehet turisti.
Arbër Mustafa, i cili prej disa vitesh ofron këto guida, shprehet se turistët janë gjithmonë të kënaqur, veçanërisht kur zgjedhin turin e midhjeve. Ky tur u ofron vizitorëve një eksperiencë unike, duke e bërë vizitën në Butrint edhe më të plotë.
“Tek kalaja e Ali Pashës, ofrojmë vizitë të shkurtër, ndërsa në ishull i çojmë nëpër plazhe pasi janë plazhe të virgjëra dhe shumë të bukura me ujë shumë të pastër. Turistët janë shumë të kënaqur”, tha Mustafa.
Turet me varka pranë Parkut të Butrintit po kthehen në një atraksion të veçantë për vizitorët vendas dhe të huaj. Ato jo vetëm që promovojnë historinë dhe natyrën e zonës, por edhe ofrojnë mundësi të reja zhvillimi për turizmin lokal, duke e bërë këtë destinacion gjithnjë e më të kërkuar vit pas viti.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





