Pas verës, turizëm kulturor nga të huajt. Historia, arkitektura dhe kulinaria i mbajnë qytetet shqiptare plot me vizitorë
Edhe pse sezoni veror ka mbaruar, Shqipëria vazhdon të presë turistë nga e gjithë bota, të cilët zgjedhin ta vizitojnë për bukuritë e saj natyrore, qytetet historike dhe mikpritjen e veçantë shqiptare.
Këtë të diel në Tiranë u takuam me disa vizitorë, të cilët ndanë përshtypjet e tyre mbi udhëtimin në Shqipëri.
“Duhet të them që Tirana është një qytet i bukur, i pastër dhe i mirëmbajtur. Vitet e fundit ka bërë një progres të madh. Ka marrë një zhvillim të befasishëm,” thotë një turiste.
“Ndodhem në Shqipëri prej pesë ditësh. E filluam udhëtimin në Gjirokastër, shumë e bukur. Kaluam një kohë të mrekullueshme pastaj shkuam në Sarandë, në Ksamil dhe sapo kemi mbërritur në Tiranë. Po shohim pak përreth qendrës së qytetit dhe mendoj se është thjesht e bukur. Arkitektura është e mrekullueshme, shumëngjyrëshe dhe më pëlqen atmosfera. Është shumë e këndshme dhe e qetë. Klima, temperatura janë perfekte. Edhe ushqimi na pëlqen shumë. Qoftet… çfarë tjetër? Ah, byreku me spinaq, sinqerisht!” shprehet një turist.
“Është hera e parë që e vizitoj Tiranën. Po eci në qytet për ta eksploruar nga afër dhe për të parë çfarë ofron. Për Shqipërinë mësova gjatë një udhëtimi në Greqi. Aty më sugjeruan që ta vizitoja,” shton një tjetër turist i huaj.
“Kjo është ndoshta hera e dhjetë ose e pesëmbëdhjetë që vij në Shqipëri, pasi bashkëshortja ime është shqiptare. Kam qenë shpesh këtu dhe është gjithmonë kënaqësi të kthehem, të eksploroj vendin dhe të shoh sa shumë ka ndryshuar qyteti me kalimin e viteve. Ndër gjërat që më pëlqejnë më shumë janë malet në veri, lumenjtë dhe gjithë bukuritë natyrore që ofrojnë,” shprehet një turist.
Këto rrëfime që vijnë prej vizitorëve tregojnë se Shqipëria nuk është më vetëm një destinacion sezonal, por një vend që tërheq turistë përgjatë gjithë vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




