Turizmi i vjeshtës, grupe turistësh nga Greqia dhe Skandinavia në Sarandë

Përderisa moti edhe në nëntor në Sarandë, vijon t’i përngjajë një pranvere, kjo ka favorizuar praninë e turistëve të vjeshtës. Këtë prezencë kreu i turizmit Arben Çipa e lidh me operatorët turistikë, që vijojnë të organizojnë grupe turistike, nga të cilët veçohen ata që vijnë nga Greqia, si dhe skandinavët.
“Moti po mban mirë dhe lëvizja turistike, sidomos ajo e organizuar e operatorëve turistikë duket sikur është prezente. Dhe përveçse kaq, shohim dhe turistë sidomos nga shteti grek që vijnë si grupe të vogla, që duket se kanë një lidhje dhe kureshtje me Sarandën për ta vizituar për herë të parë“, deklaroi Çipa.
Duke bërë vlerësimin e fashës së lartë të kësaj vere, Çipa shprehet i rezervuar, duke thënë se nga momenti që tur operatorët mendojmë se janë mirë, këtu lind problemi.
“Në momentin që gjithë ne operatorët, individët, hotelierët shprehemi dhe themi ishim mirë sivjet, aty duhet filluar kujdesi. Aty ku ndihemi mirë, është normale që organizmi turistik gjen një qetësi“, shtoi ai.
Çipa flet edhe për kontratat që janë finalizuar për vitin e ri turistik 2026, të cilat mbajnë parasysh edhe ndryshimin e shpejtë të tipologjisë së turistëve.
Për shtimin e pranisë së turistëve të kësaj vjeshte në Sarandë, tregojnë edhe shifrat e raportuara nga Porti turistik. Referuar atyre, rezulton se gjatë muajit tetor pati një prurje 15.3 % më shumë se në tetorin 2024, ndërkohë që periudhën 10-mujore rritja shkon në 22.4 % ose mbi 38 mijë turistë të huaj më shumë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





