Turizmi në Voskopojë, aty ku ndërthuret natyra, kultura e historia

Aktualitet | 1 vit më parë

Me një potencial të veçantë turistik, fshati Voskopojë i Korçës është shndërruar prej vitesh në një destinacion të mirëfilltë duke bërë që qytetarë nga gjithë Shqipëria, të provojnë diçka ndryshe. Fshati ngjan më tepër me një cep të vogël parajse ku mund të shijosh natyrën dhe ajrin e pastër, të prekësh nga afër një kulturë dhe traditë të lashtë, të vizitosh dhe të intrigohesh nga kishat e tij, të ecësh në rrugët e kalldrëmta dhe të shohësh shtëpitë e ndërtuara me gurë.

“Unë jetoj në Athinë dhe erdha të vizitojë Voskopojën. Është një vend i bukur, me tradita të mëdha”, tha një vizitore.

Fshatit nuk i mungojnë as turistët e huaj të cilët orientohen përmes guidave dhe të organizuar për të vizituar qoftë zonat me bukuri natyrore, qoftë monumentet e kulturës që Voskopojës nuk i mungojnë.

“Ne vijmë nga Greqia dhe është hera e parë që vijmë në Shqipëri, dhe jemi shumë të lumtur. Kemi vizituar dy kishat në Voskopojë dhe do të vijojmë me të tjerat. Gjithçka është e mrekullueshme dhe po na pëlqen shumë”, tha një turistë.

Voskopoja ndodhet vetëm 18 kilometra larg nga qyteti i Korçës dhe për të shkuar atje nuk ka asnjë pengesë. Infrastruktura rrugore është favorizuese për këtë pikë turistike, por duket se këtë sezon veror sipas operatorëve turistikë në Voskopojë ka pasur më pak vizitorë se vitet e kaluara.

“Gjatë këtij viti ka pasur më pak turistë se vitet e tjera. Rinia ikën në emigrim dhe kryesisht me temperaturat e larta synimi është plazhi”, u shpreh operatori turistik Anton Falo.

Voskopoja është edhe më e bukur në vjeshtë kur e gjithë zona vishet me ngjyrat e arta, por edhe në dimër kur petku i bardhë i borës mbulon gjithçka, ndaj edhe vendasit presin më shumë vizitorë e turistë gjatë muajve në vijim.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme