Udhëheqësi i Kinës në Rusi, SHBA thirrje Jinping: Ushtro presion ndaj Putin, të ndalë krimet e luftës në Ukrainë

Botë | 4 vite më parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë drejtuar një kërkesë Presidentit të Kinës Xi Jinping që të ushtrojë presion ndaj Presidentit rus Vladimit Putin, për të ndalur “krimet e luftës” që po kryen në Ukrainë.

Thirrja e SHBA vjen pak para takimit të dytë mes Jinping dhe Putin. Kjo është vizita e parë që Jinping kryen në Moskë që nga 24 shkurti i 2022-shit, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby,  i bëri thirrje Xi që t’i kërkojë homologut të tij rus të tërheqë trupat nga Ukraina. Kirby tha se kërkimi i një armëpushimi nuk do të mjaftonte.

“Ne shpresojmë që presidenti Xi do të bëjë presion ndaj Presidentit Putin që të ndalojë bombardimet e qyteteve, spitaleve dhe shkollave të Ukrainës, të ndalojë krimet e luftës dhe mizoritë dhe të tërheqë trupat e tij. Por ne jemi të shqetësuar se në vend të kësaj Kina do të përsërisë thirrjet për një armëpushim që i lë forcat ruse brenda territorit sovran të Ukrainës dhe çdo armëpushim që nuk adreson largimin e forcave ruse nga Ukraina do të ratifikonte në mënyrë efektive pushtimet e paligjshme të Rusisë”, tha ai, raporton BBC.

Putin ka thënë se do të diskutojë një plan prej 12 pikash të propozuar nga Xi për të “zgjidhur krizën akute në Ukrainë”.

“Ne jemi gjithmonë të hapur për një proces negociatash,” tha Putin, ndërsa liderët e quanin njëri-tjetrin “mik i dashur”.

Kina publikoi planin e saj për t’i dhënë fund luftës muajin e kaluar, që përfshin “ndërprerjen e armiqësive” dhe rifillimin e bisedimeve të paqes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme