Ujë, shtyrje dhe akuza/ Kaos në Kuvendin e Kosovës, përplasje fizike dhe verbale mes deputetëve

Kosovë | 2 muaj më parë

Kuvendi i Kosovës është përfshirë të mërkurën nga tensione të forta, përplasje verbale dhe incidente fizike mes deputetëve të PDK-së, Aleancës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Situata është përshkallëzuar në disa momente, me kapje, shtyrje, hedhje letrash, lagie me ujë dhe replika personale, ndërsa në sfond vijon ngërçi politik për konstituimin e Kuvendit.

Zhvillimet nisën gjatë aktiviteteve në ambientet e Kuvendit, ku deputetë të opozitës kundërshtuan pjesëmarrjen e deputetëve dhe figurave të Lëvizjes Vetëvendosje në aktivitetet me qytetarë. PDK-ja dhe Aleanca kërkuan që të vazhdojë seanca konstituive, duke e kthyer sallën dhe hapësirat e Kuvendit në një arenë të tensionuar përplasjesh politike.

Kur deputetët e LVV-së iu afruan qytetarëve për të komunikuar me ta, deputetët e PDK-së nisën të protestojnë dhe të brohorasin. Një nga incidentet më të forta ndodhi mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi.

Gjatë përplasjes, Lushtaku e kapi Rrustemin për krahu dhe iu drejtua: “Nuk e largoj dorën, shko thirre kryetarin tënd.”

Pas këtij momenti, në sallë vijuan debatet dhe përplasjet mes deputetëve. Përplasje verbale pati edhe mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe deputetit të LVV-së, Ardian Gola. Gjatë debatit, Rrahmani e quajti Golën “rrenc”, duke e acaruar më tej situatën.

Pak më vonë, Gola u lag me ujë nga deputetë të tjerë, në një tjetër incident që ndodhi gjatë tensioneve në sallë. Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, u përplas me deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci. Kur Nagavci po hynte në sallën e Kuvendit, Bytyqi e kapi për duarsh dhe e shtyu, duke tentuar ta pengonte të hynte në sallë.

Në një tjetër moment, Bytyqi hodhi letra në drejtim të Nagavcit. Situata u tensionua edhe më tej kur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, lagu me ujë Arbërie Nagavcin.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar vazhdimisht vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa përplasjet me deputetët e LVV-së kanë vijuar edhe gjatë aktiviteteve të organizuara me qytetarë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme