Ukraina pretendon se ka arritur në kufirin rus, forcat ushtarake të Putin tërhiqen mes një kaosi të plotë

Ukraina pretendon se mori disa fshatra të tjerë, duke i shtyrë forcat ruse drejt kufirit verilindor, pjesë e një kundërofensive të rrufeshme që e detyroi Moskën të tërhiqte trupat nga disa zona ditët e fundit. Pas muajsh lëvizjesh të vogla të dukshme në fushën e betejës, vrulli i papritur i Kievit ka ngritur moralin ukrainas dhe ka provokuar zemërim në Rusi, madje disa kritika të rralla publike për luftën e Presidentit Vladimir Putin.
Ndërsa flamujt ukrainas filluan të valëviten mbi një qytet që u çlirua nga pushtimi rus, një udhëheqës lokal pretendoi se trupat e Kremlinit kishin kryer mizori kundër civilëve atje, të ngjashme me ato në vendet e tjera të pushtuara nga Moska. “Në disa zona të frontit, mbrojtësit tanë arritën në kufirin shtetëror me Federatën Ruse,” tha Oleh Syniehubov, guvernatori i rajonit verilindor të Kharkiv.
Gjatë fundjavës, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat do të tërhiqen nga dy zona në atë rajon për t’u rigrupuar në rajonin lindor të Donetsk. Pati raportime për kaos, pasi trupat ruse u tërhoqën me nxitim. “Rusët ishin këtu në mëngjes. Më pas në mesditë, ata papritmas filluan të bërtisnin egërsisht dhe filluan të iknin, duke hypur në tanke dhe automjete të blinduara,” tha për Sky News Dmytro Hrushchenko, një banor i Zaliznychne, të çliruar së fundmi.
Nuk ishte ende e qartë nëse sulmi ukrainas mund të sinjalizonte një pikë kthese në luftë – megjithëse disa analistë sugjeruan se mund të ishte, ndërkohë që paralajmëruan se ka të ngjarë të ketë luftime për muaj të tjerë. Megjithatë, gjendja shpirtërore ishte plot gëzim në të gjithë vendin.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të hënën se trupat e tij kishin çliruar më shumë se 20 vendbanime brenda një dite. Forcat e Kievit kanë kapur territor të paktën sa Londra e Madhe, sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes. Në Kharkiv, autoritetet përshëndetën kthimin në normalitet, duke vënë në dukje se energjia dhe uji ishin rikthyer në rreth 80% të popullsisë së rajonit, pas sulmeve ruse në infrastrukturë, që ndërprenë energjinë elektrike anembanë Ukrainës. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



