Ukraina synon një samit paqeje në shkurt 2023, Kuleba: Guterres ndërmjetës i mundshëm

Botë | 4 vite më parë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha sot se qeveria e tij po punon që të ketë një samit paqeje deri në fund të shkurtit 2023, që të zhvillohet në Kombet e Bashkuara. Ai e sheh Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, si ndërmjetës të mundshëm. 

Ministri i Jashtëm Dmytri Kuleba tha për Associated Press se ishte “absolutisht i kënaqur” me rezultatet e vizitës së Presidentit Volodymyr Zelenskyy në SHBA javën e kaluar. Ai zbuloi se qeveria amerikane ka bërë gati një plan të veçantë për baterinë e raketave Patriot, ku përfshihet një trajnim në më pak se gjashtë muaj i personelit, pasi zakonisht, trajnimi zgjat deri në një vit.

Kuleba tha gjatë intervistës në Ministrinë e Jashtme të Ukrainës se do të bëhet gjithçka për ta fituar luftën në 2023, duke shtuar gjithësesi se diplomacia luan gjithmonë një rol të rëndësishëm.

“Çdo luftë përfundon në mënyrë diplomatike,”- tha ai. 

“Çdo luftë përfundon si rezultat i veprimeve të ndërmarra në fushën e betejës, si dhe në tryezën e bisedimeve.”

Kuleba tha se qeveria ukrainase dëshëron të ketë një samit paqeje deri në fund të shkurtit.

“Kombet e Bashkuara mund të jenë vendi më i mirë për mbajtjen e këtij samiti, sepse këtu nuk bëhet fjalë për të bërë një favor ndaj një vendi të caktuar,”- tha ai. “Kjo ka të bëjë me faktin për ti sjellë të gjithë aktorët në bord.”

I pyetur nëse do ta ftonin Rusinë në samit, ai tha se fillimisht Rusia duhet të ndiqet penalisht për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare.

“Ata mund të ftohen vetëm në këtë mënyrë,”- tha Kuleba.

Për rolin e Guterres, Kuleba tha: “Ai e ka dëshmuar veten se është një ndërmjetës efikas dhe më e rëndësishmja është njeri me parime dhe integritet. Ne do ta mirëprisnim pjesëmarrjen e tij aktive.”

Ministri i Jashtëm i ka minimizuar komentet e autoriteteve ruse se janë gati për negociata.

“Ata thonë rregullisht se janë të gatshëm për negociata, gjë që nuk është e vërtetë, sepse gjithçka që bëjnë në fushën e betejës dëshmon të kundërtën,”- tha ai. Apnews

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme