Universitetet hapin dyert, rreth 20 mijë studentë nisin sot vitin akademik
Nis sot viti i ri akademik në universitetet shqiptare. Rreth 20 mijë studentë pritet të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve, pas përfundimit të dy raundeve të para të regjistrimeve.
Ndërkohë, procesi i pranimeve do të vijojë edhe me një raund të tretë. Sipas gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, ky raund do të hapet më 8 tetor dhe do të zgjasë deri më 21 tetor.
“Do të jetë një fazë e hapur, ku të gjithë studentët që kanë interes për t’u regjistruar do të mund të aplikojnë në programet ku ka ende vende të lira”, bëri të ditur Toroveci në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri – Aktualitet”.
Bazuar në eksperiencat e viteve të mëparshme, në raundin e tretë pritet të regjistrohen rreth 1 mijë studentë të tjerë. Me përfundimin e të gjitha raundeve, numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë akademik pritet të arrijë në rreth 21 mijë. Ndër degët që kanë ezauruar tashmë kuotat janë Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia, Farmacia, Inxhinieria dhe Informatika. Raundi i tretë do t’u japë mundësi kandidatëve që nuk kanë siguruar ende një vend në universitet që të zgjedhin mes programeve ku kanë mbetur kuota të lira. Sipas të dhënave në të gjithë vendin janë gjithsej 120 mijë student në total që do të ulen në auditorë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





