Vangjeli: BKH me frymë tjetër. Bota e politikës, biznesit dhe krimit nuk fle e qetë
Analisti Lorenc Vangjeli, ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH24, se Byroja Kombëtare e Hetimit po shfaq një dinamikë të re në krahasim me periudhat e mëparshme, të karakterizuara nga ngërçe dhe përplasje me SPAK-un.
Sipas Vangjelit, me drejtuesin e ri, BKH-ja duket se ka gjetur një “marsh tjetër”.
“Po më ngjan se ka një frymë tjetër te BKH-ja nga ngërçet që ka pasur më parë pas disa përplasjeve me SPAK-un, duket se BKH-ja ndoshta dhe me drejtuesin e ri ka gjetur një marsh tjetër.
Më ngjan se disa prova të njëpasnjëshme janë parathënia e asaj që do të ndodhë nesër. Dhe dy prokurorët e çështjes duke ndjekur linjën e komunikimit të të arratisurve Agasi dhe Beqiri, si dhe njerëzit që kanë rënë në kontakte të rëndësishme në politikë, në biznes dhe në botën e krimit,” deklaroi Vangjeli.
Analisti theksoi se prokuroria italiane njihet për qasjen e saj të duruar në hetime të tilla, duke qenë e gatshme të presë muaj apo edhe vite për të arritur te “qeliza alfa” e rrjetit kriminal.
Ai vuri në dukje se në zonën e quajtur Durana ka shumë persona që lëvizin në tre botë paralele – politikë, biznes dhe krim – të cilët aktualisht ndihen të shqetësuar.
“Prokuroria italiane është mjeshtre e kësaj skeme pritjeje. Të gatshëm që të presin për muaj të tërë, për vite me radhë, për të mbërritur te qeliza alfa e të ligës dhe kam përshtypje sërish me logjikën, në atë zonë që quhet sot Durana, ka shumë njerëz nga këto tre botë paralele, politika, biznes, dhe krimi, të cilët flenë me siklet të madh, nëse arrijnë dot të flenë. Ka siklet në rritje. Si gazetar më kuriozon ajo që pritet të ndodhë,” përfundoi Vangjeli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




