Varret e humbura të diktaturës, Shoqata e ish-të Përndjekurve bën apel për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve
Me gjithë nismat e marra ndër vite, procesi i gjetjes dhe identifikimit të eshtrave të të pushkatuarve gjatë regjimit komunist në Shqipëri ka ecur me hapa mjaft të ngadaltë.
Sipas kreut të Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë në Shkodër, nga më shumë se 600 persona të pushkatuar apo të torturuar për vdekje në burgjet e hetuesitë e Shkodrës gjatë regjimit diktatorial, shumicës prej tyre ende nuk u dihet vendprehja e fundit.
“Në Shkodër janë 601 janë të pushkatuar. Mund të jenë gjetur 100. Janë rreth 500 që janë pa varre. Ka njerëz që i dinë, se i kanë me dokumentacion Ministria e Brendshme, por nuk duan me i dhënë se na quajmë të dënuar edhe sot”, u shpreh Zenel Drangu.
Drangu u bënë thirrje gjithashtu të gjithë atyre personave që mund të kenë dijeni, dëshmi apo informacion mbi vendndodhjen e mundshme të vendeve të ekzekutimeve që të bashkëpunojnë me shoqatën dhe institucionet përkatëse.
“Radio stacioni në Kuq që janë gjetur shumë. Atje ka dhe shumë të tjerë se ka qenë vend i mbyllur dhe ka shumë njerëz që kanë punuar dhe janë gjallë edhe sot. Aty ju kam bërë thirrje nëpërmjet televizorit, ju bëj thirrje që hajde dhe na thoni ku janë”, tha ai.
Shkodra mbetet simbol i rezistencës antikomuniste, si një nga qytetet me bilancin më tragjik të persekutimit. Përgjatë 45 viteve të diktaturës, me mijëra intelektualë, klerikë, qytetarë të thjeshtë e figura me ndikim u burgosën, u internuan dhe u pushkatuan pa gjyq apo përmes gjyqeve politike.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



