Vdekja e këngëtarit Shpat Kasapit, mesazh ngushëllimi nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kosovë | 11 muaj më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një mesazh ngushëllues familjes së Shpat Kasapit, këngëtarit që humbi jetën sot pas një arresti kardiak në moshën 40-vjeçare.

Kurti thekson se ikja e Shpat Kasapit, ishte e parakohshme dhe dhemb shumë. Më tej shton se muzika që ai krijoi bashkoi të gjithë shqiptarët dhe se kontributi i tij do mbetet i pashlyeshëm.

E nderuar familja Kasapi

“Me zemër të rënduar pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Shpatit. Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte.

Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik. Komuniteti artistik ka humbur njërin nga figurat më të dashura të tij, sepse secili prej tyre ka vetëm fjalë të mira për Shpatin. Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky kontribut i tij do të mbetet përherë i pashlyeshëm.

Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje”.

Me respekt të thellë,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme