Vdes në rrethana misterioze 28-vjeçari shqiptar në Angli, policia e heton si vrasje

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një 28-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në rrethana misterioze në qytetin e Leicesterit, në Angli, ndërsa policia britanike po heton ngjarjen si vrasje.

Viktima është identifikuar si Ervin Lita, i njohur gjithashtu me emrin Ervin Axhami. Sipas Policisë së Leicestershire, ai u gjet i plagosur rëndë në rrugën Compton Road rreth orës 06:58 të mëngjesit të së dielës, pasi shërbimi i ambulancës njoftoi autoritetet për ngjarjen.

Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, 28-vjeçari u shpall i vdekur në vendngjarje. Në kuadër të hetimeve, policia arrestoi dy persona, 36 dhe 27 vjeç, të dyshuar për vrasje. Megjithatë, ata janë liruar me kusht, ndërsa hetimet vijojnë.

Autoritetet kanë ngritur një portal të posaçëm për mbledhjen e informacioneve dhe u kanë bërë thirrje dëshmitarëve ose personave që disponojnë pamje nga kamera sigurie apo kamera automjetesh të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

“Hetimi ynë mbetet në zhvillim. Një ekip i dedikuar po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Po analizojmë pamjet filmike, provat forenzike dhe po marrim në pyetje dëshmitarë”, deklaroi inspektori Kevin Hames.

Policia u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që kanë informacion dhe nuk kanë folur ende me hetuesit, të kontaktojnë autoritetet sa më shpejt.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme