Vendimi i Administratives, avokati i Veliajt: Tregues i dështimit të sistemit të drejtësisë për t’u vetëkorrigjuar. Do e apelojmë

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, reagoi pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila rrëzoi padinë ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, lidhur me emërimin e tij në detyrë.
Në një deklaratë për mediat, Ndreca e cilësoi vendimin si të pritshëm, duke argumentuar se gjykata shmangu shqyrtimin në themel të çështjes përmes moslegjitimimit të padisë.
“Ishte një vendim i pritshëm. E kam paralajmëruar disa herë. Mënyra si u zgjat procesi për një element procedural shumë të qartë që duhej pranuar. E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga shqyrtimi në themel i të vërtetës ishte moslegjitimimi. Me fjalë të tjera moslejimi që ti të flasësh dhe të shprehësh argumentet e tua para gjykatës. Ishte një test për sistemin dhe në këtë rast për gjykatën administrative se sa aftësi ka për të vetëkorrigjuar problematikat që vetë sistemi ka. Një problemet e mëdha që sistemi ka, zoti Dado nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme. As vetë zoti Dado nuk e ka mohuar. Sistemi nuk e tregoi as në këtë rast aftësinë për të vetëkorrigjuar”, tha Ndreca.
Sipas tij, nuk ka asgjë më të rëndë se sa emërimi i një prokurori në mënyrë krejtësisht të paligjshme, me akte të paligjshme dhe se çështja nuk lidhet vetëm me Erion Veliajn apo Bashkinë e Tiranës, por prek vetë funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe parimin e barazisë para ligjit.
“Ky është një hap i parë. Është një e vërtetë që nuk mbulohet nga asnjë vendim procedural. Nuk lidhet vetëm me zotin Veliaj, jo vetëm me bashkinë e Tiranës, jo vetëm me pasojat që po shkakton një vendim i tillë qytetarëve të Tiranës, por me vetë sistemin e drejtësisë. Ky vendim është tregues i dështimit të vetë sistemit të drejtësisë për t’u vetëkorrigjuar. Ne kemi bërë një reformë në drejtësi e cila lidhet me barazinë para ligjit. Nuk mund të ketë barazi para ligjit kur përjashtohen prokurorët e gjyqtarët”, tha avokati i Veliajt.
Ndreca bëri të ditur se pala mbrojtëse do ta ankimojë vendimin sapo të administrojë arsyetimin e plotë të gjykatës.
“Menjëherë do shkojmë në Apel, sapo të kemi vendimin e zbardhur nga gjykata. Sado vonë ne do e fitojmë këtë çështje”, u shpreh ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




