Verimi në bjeshkë, tropojanët kalojnë tre muajt e verës në stanet e bjeshkëve

Aktualitet | 1 vit më parë

Banorët e Tropojës shfrytëzojnë më së miri periudhën e verës për të dalë në stane.

Bjeshkët e kësaj zone, veç ajrit të pastër e të shëndetshëm për banorët, janë një burim i mirë të ardhurash materiale.

Sali Isufaj dhe Sokol Neziraj janë dy prej banorëve të shumtë që ngjiten në bjeshkë në muajt e verës.

“Këtu kaloj tre muaj. Dalim nga qershori, korriku, gushti. Në shtator ikim në Bajramcurr se ftohet edhe koha. Edhe lëvizje s’ka,” shprehet Saliu.

Sokoli, prej 6 dekadash, është bërë njësh me bjeshkën. Verimin e nis në qershor dhe e përfundon në tetor.

“Prej vitit ’65, domethënë kam 60 vite që dal rregullisht në Dobërdol,” tregon ai.

Janë bjeshkë të pasura, që përkthehen në të mira materiale për banorët.

Ajri i pastër, uji, bimët medicinale i bëjnë këto bjeshkë të pakrahasueshme për atë çfarë i japin shëndetit të njeriut.

“S’ka këtu ilaçe. Këtu është uji i ftohtë. Uji i ftohtë del në rrënjët e ahut,” thotë Saliu.

E kur bëhet fjalë për shëndetin, ai ka se çfarë të tregojë nga eksperiencat e tij familjare.

Blegtoria, mbledhja e bimëve mjekësore dhe aktivitete të tjera janë mënyrat për të kaluar ditën në këto bjeshkë.

“Ia gjej pak kohën. Dje, për shembull, kam mbledhur pak boronica. Dhjetë kile, po boll janë,” thotë Sokoli.

Saliu, por edhe banorët e tjerë të zonës, kanë zgjedhur edhe mënyra alternative për të siguruar furnizimin me energji elektrike.

“Kam edhe do të vegjël, por ky e plotëson,” tregon ai, teksa tregon një panel diellor për prodhimin e energjisë.

Bjeshkët e Dobërdolit shtrihen në një brez natyror mes lartësisë 900 deri në 2.200 metra mbi nivelin e detit.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme