Wagner tërhiqet nga Bakhmuti, Prigozhin: Do t’i largoj forcat javën e ardhshme

Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit paraushtarak rus Wagner, tha në një njoftim të papritur këtë të premte se forcat e tij do të largoheshin nga qyteti ukrainas i Bakhmutit, të cilin ata po përpiqeshin ta pushtonin që nga vera e kaluar.
Prigozhin tha se ata do të largohen më 10 maj për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme të municioneve. “Unë deklaroj në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar të transferojmë pozicionet në vendbanimin Bakhmut në njësitë e ministrisë së mbrojtjes dhe të tërheqim trupat e mbetur të Wagnerit në kampet e logjistikës”, tha Prigozhin në një deklaratë.
“Unë po i tërheq njësitë Ëagner nga Bakhmuti sepse në mungesë të municioneve ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë”, shtoi ai.
Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së Rusisë për të kapur Bakhmutin që nga vera e kaluar, në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022. Ndërkohë zyrtarë amerikanë kanë vlerësuar se presidenti rus Vladimir Putini mund të heqë dorë nga planet e tij për të nënshtruar së shpejti Kievin dhe për të pushtuar Ukrainën.
Përfaqësues të agjencive amerikane të zbulimit kanë thënë më parë se presidenti rus besonte, se në mënyrë që të përmbushte fatin e tij, do të ishte e nevojshme që ai të pushtonte Ukrainën. Por ndërsa lufta po zvarritet në vitin e saj të dytë, zbulimi amerikan beson se udhëheqësi rus ka pranuar disi, realitetin në terren.
Disa shpërthime u dëgjuan për 15 deri në 20 minuta në kryeqytetin ukrainas Kiev, i cili tashmë pa një seri sulmesh gjatë natës së kaluar. Forca ajrore e Ukrainës tha se kishte rrëzuar një dron të sajin, i cili kishte humbur kontrollin mbi qendër të Kievit.
Shefi i shtabit presidencial të Ukrainës, Andriy Yermak, tha fillimisht se droni i rrëzuar, “ishte i armikut”, duke iu referuar ushtrisë pushtuese ruse. Por, forca ajrore pranoi më vonë se droni ishte ukrainas dhe se ishte shkatërruar për t’i shmangur “rrethanat e padëshirueshme”.
Sipas saj, rrëzimi i dronit nuk shkaktoi viktima apo të plagosur. Incidenti ndodhi pasi Rusia akuzoi Ukrainën për kryerjen e një sulmi të supozuar me dron, të mërkurën, në Kremlin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




