Xhorxhia, publikohen 5 akuzat kryesore kundër Trump dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij: Sindikatë e krimit të organizuar dhe mafioze

Botë | 3 vite më parë

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është akuzuar zyrtarisht për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.

Kjo është çështja e katërt penale e ngritur kundër tij në pesë muaj. Trump, i cili është kandidati kryesor republikan për president në vitin 2024, u padit së bashku me 18 aleatë të tjerë.

Ai i mohon të 13 akuzat kundër tij, të cilat përfshijnë shantazh dhe ndërhyrje në zgjedhje. Ai ka thënë se ato janë të motivuara politikisht.

Prokurorja e Xhorxhias, Fani Willis, nisi fillimisht një hetim në shkurt 2021, mbi akuzat për ndërhyrje në zgjedhje kundër Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Në një padi prej 98 faqesh të bërë publike të hënën vonë, prokurorët renditën 41 akuza kundër 19 të pandehurve. Zonja Willis njoftoi se po u jepte të pandehurve mundësinë që të dorëzoheshin vullnetarisht jo më vonë se mesdita e së premtes së 25 gushtit. 

Ajo tha se planifikon t’i gjykojë së bashku të 19 të akuzuarit. Lista e bashkëpunëtorëve të dyshuar përfshin ish-avokatin e Trump, Rudy Giuliani, ish-shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows dhe ish-avokatin e Shtëpisë së Bardhë, John Eastman.

Të tjerë persona të përfshirë janë një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, Jeffrey Clark, Sidney Poëell dhe Jenna Ellis, dy avokatë të Trump që përforcuan pretendimet e pabaza për mashtrim të gjerë të votuesve.

Aktakuza thotë se të pandehurit “me vetëdije dhe me dashje iu bashkuan një komploti për të ndryshuar në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve në favor të Trump”.

Ish-presidenti akuzohet për krimet e mëposhtme, duke përfshirë:

  • Shkelja e aktit të shantazhit të Xhorxhias
  • Kërkesa për shkeljen e betimit nga nëpunësi publik
  • Komplot për të intimiduar një zyrtar publik
  • Komplot për të kryer falsifikim në shkallën e parë
  • Deklarata dhe shkrime të rreme dhe depozitimi i dokumenteve false

Aktakuza i referohet të pandehurve si një “organizatë kriminale”, duke i akuzuar ata edhe për krime të tjera, duke përfshirë ndikimin në dëshmitarë, shkelje në sistemin kompjuterik, vjedhje dhe dëshmi të rreme.

Akuza më e rëndë është shkelja e Aktit të Organizatave të Ndikuara dhe të Korruptuara nga Raketeri (Rico), që dënohet me një maksimum prej 20 vitesh burg. 

Akti, i krijuar për të ndihmuar në rrëzimin e sindikatave të krimit të organizuar si mafia, i ndihmon prokurorët që të lidhin pikat midis vartësve që thyejnë ligjin dhe atyre që u japin urdhra. 

Në një deklaratë, fushata e Trump e përshkroi prokuroren e qarkut si një “partizane të tërbuar”, e cila i kishte ngritur “këto aktakuza false” për të ndërhyrë në garën presidenciale të 2024 dhe “dëmtuar fushatën dominuese të Trump”.

“Kjo akuzë e fundit e koordinuar nga një prokurore e njëanshme me një juridiksion dërrmues demokratik, jo vetëm që tradhton besimin e popullit amerikan, por gjithashtu ekspozon motivimin e vërtetë që i drejton akuzat e tyre të fabrikuara”,- thuhet në deklaratë.

Trump është ish-presidenti i parë në historinë e SHBA që përballet me akuza penale. Pati konfuzion më herët të hënën kur një listë e me akuza penale kundër Trump u shfaq në një faqe interneti të Qarkut Fulton, përpara se juria e madhe të kishte votuar për t’i kthyer ato në aktakuza.

Dokumenti thoshte se zoti Trump ishte akuzuar për shantazh, komplot për të kryer mashtrim dhe dhënie deklaratash të rreme. Një zëdhënës i zonjës Willis tha se dokumenti ishte “fiktiv”, por nuk shpjegoi se si përfundoi në faqen e internetit të gjykatës.

Trump dhe aleatët e tij e kapën gabimin e dukshëm, duke pretenduar se procesi ishte i manipuluar. Në fillim të këtij muaji, zoti Trump u akuzua nga prokurorët federalë në Uashington DC për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat ai i humbi përballë Presidentit, Joe Biden.

Hetimi i zonjës Willis përqendrohet veçanërisht në Xhorxhia, një shtet kyç në fushëbetejë për presidencën amerikane, të cilin Trump e humbi ngushtë.

Në janar 2021, Trump u regjistrua në një telefonatë duke i kërkuar Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, të “gjente” 11,780 vota, numri që do t’i kërkonte për të mundur zotin Biden në atë shtet.

Aktakuza përshkruan një skemë të supozuar për të manipuluar makinat e votimit në një qark të Xhorxhias, si dhe për të vjedhur të dhënat.

Aty përmendet edhe një skemë e supozuar për paraqitjen e listave të rreme të zgjedhësve, me zyrtarë që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor, i cili zgjedh presidentin dhe nënkryetarin.

Ekzistojnë dallime kryesore midis akuzave shtetërore, si ato në Xhorxhia dhe atyre federale. Nëse zoti Trump do të bëhet sërish president në vitin 2024, ai nuk ka fuqi që falë veten nga akuzat shtetërore.

Trump gjithashtu përballet edhe me një gjyq në shtetin e Nju Jorkut më 25 mars të vitit të ardhshëm, që përfshin pagesat e parave për një yll porno. 

Ai do të dalë në gjyq edhe në Florida më 20 maj për akuzat, në lidhje me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara “top sekret”, të gjetura në rezidencën e tij në Mar-a-Lago pas largimit nga presidenca e tij. Në të dyja rastet, Trump është deklaruar i pafajshëm. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme