Zelensky vizitë në Poloni, Presidenti polak e nderon me urdhrin “Shqiponja e Bardhë”

Botë | 4 vite më parë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe bashkëshortja e tij, Olena, zhvilluan një vizitë të mërkurën (5 prill) në Poloni. Ata u pritën me nderime ushtarake nga presidenti polak, Andrzej Duda, dhe gruaja e tij, Agata.

Gjatë një ceremonie në pallatin presidencial në Varshavë Presidenti polak e nderoi homologun ukrainas  me “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”, i cili është “urdhëri më i vjetër dhe më i rëndësishëm polak” dhe u jepet individëve të shquar. “Nuk braktisët as ukrainasit as bashkatdhetarët tuaj. Ju jeni një lider shembull i shtetit dhe i popullit”- tha Duda.

Ndërsa, presidenti ukrainas Zelenski tha se e pranonte këtë dekoratë “si një nderim për të gjithë popullin ukrainas dhe ushtarët”.

 Ata po mbrojnë territorin dhe sovranitetin e Ukrainës, të Polonisë e të gjithë Europës”- tha ai.

Varshava konsiderohet një aleat i rëndësishëm i Kievit në luftën kundër pushtimit rus dhe ofron strehim për shumë ukrainas që janë larguar. Polonia ishte shteti i parë që në fillim të marsit dërgoi tanket e para Leopard 2 në Ukrainë.

Ky shtet njoftoi gjithashtu të martën se kishte transferuar disa nga avionët e saj luftarakë MiG-29 në Ukrainë, pas Sllovakisë e cila më 23 mars njoftoi se dërgoi katër avionët e parë në Kiev.

Që nga nisja e luftës në shkurt të vitit të kaluar, Zelensky ka udhëtuar shumë rrallë jashtë vendit. Udhëtimi i parë i tij ishte në dhjetor, ne Shtetet e Bashkuara ndërsa në shkurt, presidenti ukrainas që është ruajtur të mos shënjestrohet nga rusët, vizitoi Londrën, Parisin dhe Brukselin.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme