Zjarr në Akërni, era favorizon flakët. Banori: Më janë djegur 70 hektarë tokë, arrita të shpëtoja bagëtinë

Zjarri që ka nisur që prej ditës së djeshme në zonën e Bishanit është përhapur më tej, duke arritur deri në fshatin Akërni.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe bimësi të thatë, ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv në disa fronte, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Gjatë ditës së sotme, flakët kanë përfshirë edhe një stan në zonën e Akërnisë. Shërbimet zjarrfikëse të Vlorës janë nisur drejt vendngjarjes për të ndërhyrë dhe parandaluar përhapjen e zjarrit.
Një banor tregon se zjarri ka nisur që dje pasdite dhe ka djegur gjithçka që ka gjetur përpara.
“Zjarri dogji çfarë gjeti përpara. Ka nisur dje pasdite dhe zjarrfikëset po punojnë”, tha ai.
Një tjetër banor, stani i të cilit u rrezikua nga flakët, tregon se bagëtitë u nxorën në kohë, ndërsa kullotat u shkrumbuan.
“Zjarrfikësit erdhën menjëherë. Bagëtitë i nxorëm, ndërsa kullotat janë shkrumbuar të gjitha. Mua më janë djegur 70 hektarë tokë”, u shpreh banori.
Edhe për zjarrfikësit situata vijon të jetë e vështirë, pasi zjarri është përhapur në një sipërfaqe të madhe, i favorizuar nga era dhe bimësia e thatë.
“Situata për momentin është e vështirë, pasi zjarri është përhapur në një sipërfaqe të madhe, i ndihmuar edhe nga era dhe bimësia e thatë. Zjarri erdhi nga pjesa veriore e fshatit dhe vijon edhe sot”, tha një prej zjarrfikësve në terren.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




