Zjarret- Ende aktive 9 vatra, rrezik për banesat në Gurë-Lurë të Dibrës. Në terren 260 forca operacionale, 192 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 avionë

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion të përditësuar në lidhje me situatën e zjarreve në vend, sipas së cilës 9 vatra janë ende aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë. Situata më problematike është në Gurë-Lurë të Dibrës, ku është përqendruar edhe numri më i lartë i forcave në terren. Konkretisht po punojnë për shuarjen e flakëve mbi 220 forca nga MZSH, bashkia, vullnetarët, Policia, shërbimi pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe FA.
Nga ajri po operojnë 2 avionë Air Tractor. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave që mund të ekspozohen ndaj zjarrit.
Dajt, Tiranë – Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës vijon operacioni me 22 forca të MZSH dhe ADZM, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Në Priskë të Madhe po operojnë 15 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse. Në të dyja rastet nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Drenie, Patos – Vijon puna për shuarjen e riaktivizimit të zjarrit. Forcat operacionale po mbështeten sot edhe nga 30 efektivë të FA-së dhe 1 autoambulancë, pas një angazhimi të konsiderueshëm të MZSH-së, Policisë, shërbimit pyjor dhe vullnetarëve.
Krujë – Në lagjen Abaze operacioni vijon. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, ku janë evidentuar dy vatra, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar edhe pranë banesave dhe 1 helikopter i FA-së po operon nga ajri, me fokus mbrojtjen e tyre.
Përmet – Në malin e Nëmerçkës dhe në Malin Dhëmbel vijon angazhimi. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Mali i Moravës, Devoll – Vatra është izoluar dhe mbahet nën monitorim nga strukturat operacionale. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në total, për menaxhimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me të paktën 260 forca operacionale dhe 192 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri janë angazhuar 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





