Zjarret përfshijnë Europën Perëndimore, mijëra persona të evakuuar

Zjarret e mëdha kanë përfshirë Europën Perëndimore, duke shkrumbuar hektarë të tërë toke dhe duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre mes një vale të nxehti rekord që nuk tregon shenja lehtësimi.
Zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët në disa pjesë të Francës, Spanjës dhe Portugalisë, mes temperaturave ekstreme të të nxehtit.
Në rajonin e Gironde në Francën jugperëndimore, më shumë se 12,000 njerëz u evakuuan pasi erërat e forta penguan përpjekjet për të frenuar një zjarr që përfshiu pyjet me pisha. Gati 10,000 hektarë tokë janë shkrumbuar në këtë rajon të Francës.
Në Spanjën fqinje, zjarrfikësit po luftojnë me një seri zjarresh pas ditësh temperaturash jashtëzakonisht të larta që arritën deri në 45.7C.
Në jug të vendit, pranë Costa del Sol, më shumë se 3000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre për shkak të një zjarri të madh në afërsi të qytetit të Mijas. Shumë prej tyre u dërguan për t’u strehuar në një qendër sportive
Disa nga zjarret më të rënda kanë qenë në Portugali, ku piloti i një avioni zjarrfikës vdiq të premten, pasi avioni i tij u rrëzua gjatë një operacioni në zonën Foz Côa, pranë kufirit spanjoll.
Ky ishte fataliteti i parë nga zjarret në Portugali deri më tani këtë vit, të cilat kanë plagosur më shumë se 160 njerëz këtë javë dhe kanë detyruar qindra të evakuohen.
Ministria e shëndetësisë e Portugalisë tha se 238 njerëz kishin vdekur si pasojë e valës së të nxehtit midis 7 dhe 13 korrikut, shumica prej tyre të moshuar me sëmundje themelore.
Sezoni i zjarreve ka goditur disa pjesë të Evropës më herët se zakonisht këtë vit pas një pranvere jashtëzakonisht të thatë dhe të të nxehtë që ka goditur kontinentin.
Zjarret janë ndezur nga temperaturat ekstreme të cilat ekspertët ia atribuojnë ndryshimeve klimatike. Kroacia dhe Hungaria kanë luftuar gjithashtu me zjarret këtë javë, ashtu si Kalifornia dhe Maroku./ The Guardian
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




