Zjarri doli jashtë kontrollit gjatë djegies së mbetjeve bimore, një i arrestuar dhe një e proceduar në Fier
Dy persona janë vënë përballë përgjegjësisë ligjore në Fier, pasi dyshohet se ndezën zjarre për djegien e mbetjeve bimore, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme, si dhe duke rrezikuar banesa pranë zonave të prekura.
Policia e Fierit njoftoi se, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, identifikoi dhe kapi brenda pak orësh autorët e dyshuar të dy rasteve të zjarrvënies në fshatra të ndryshëm të qarkut. Sipas uniformave blu, të dy u konstatuan në flagrancë pranë vatrave të zjarrit që kishin ndezur.
Në kuadër të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. Sh., 58 vjeç, banues në fshatin Varibop, i cili dyshohet se ndezi zjarr në tokën bujqësore të marrë me qira prej tij. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, 58-vjeçari kundërshtoi punonjësit e policisë.
Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases F. P., 78 vjeçe, banuese në fshatin Fermë Rroms, e cila dyshohet se ndezi zjarr në afërsi të banesës së saj.
Nga hetimet paraprake rezulton se zjarret, të ndezura fillimisht për djegien e mbetjeve bimore, u përhapën në sipërfaqe të mëdha, duke shkaktuar dëme në bimësi dhe pemë frutore, si dhe duke rrezikuar banesat përreth.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit u bën apel qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, duke theksuar se përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje ose paligjshmërie në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




