15 bashki rrezikojnë shkrirjen nga Reforma Territoriale, kryebashkiakët protestojnë para Kuvendit: Mos e votoni, nuk u shërben qytetarëve
Protestës së zhvilluar para Kuvendit i janë bashkuar edhe kryetarët e bashkive që preken nga reforma territoriale e propozuar nga PS, e cila parashikon ndryshime në hartën administrative dhe shkrirjen e 15 bashkive.
Kryebashkiakët kundërshtojnë reformën dhe shprehen se ajo prek drejtpërdrejt komunitetet që ata përfaqësojnë. Sipas tyre, ndryshimet e propozuara rrezikojnë të largojnë shërbimet nga qytetarët dhe të prekin identitetin e bashkive.
“Jam një nga ata 15 kryetarë bashkish që preken nga kjo reformë klienteliste, që nuk ka lidhje me hartën e ekspertëve të BE-së. Sot jam me kolegët e mi dhe, në emër të këtyre 15 kryetarëve dhe 300 mijë banorëve që preken nga kjo reformë. Kjo hartë nuk është një hartë që i përshtatet komunitetit evropian, nuk i shërben qytetarit, largon shërbimet nga qytetarët dhe shkatërron bashkitë që kanë identitet dhe histori”, deklaroi kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri.
Edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj tha se qytetarët kanë protestuar prej dy muajsh në qytetet e tyre dhe u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të mos e votojnë reformën.
“Qytetarët kanë dy muaj që protestojnë në qytetet e tyre dhe u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e votojnë këtë reformë, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kartën e BE-së. Mos e votoni këtë reformë!”, u shpreh Malaj.
Ndërkohë protesta para Kuvendit është shoqëruar me tensione, Protestuesit janë përplasur me forcat e Policisë, ndërsa gjatë tensioneve është përdorur edhe spraj piperi. Si pasojë, një person ka mbetur i lënduar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



