3 vite nga sulmi i Hamasit në Izrael/ Rama: Antisemitizmi të mos fshihet pas heshtjes, t’u qëndrojmë besnikë miqve tanë

Aktualitet | 46 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në trevjetorin e sulmeve të 7 tetorit 2023 në Izrael, duke kujtuar viktimat dhe të mbijetuarit e asaj dite. Në një postim në rrjetin social X, Rama ka dënuar terrorizmin dhe antisemitizmin, ndërsa ka theksuar rëndësinë e kujtesës. Kryeministri shkruan se, për familjet që humbën të afërmit dhe për të mbijetuarit e sulmit, 7 Tetori mbetet një dhimbje që nuk është mbyllur.

“Kanë kaluar tre vjet nga tmerri i 7 Tetorit. Por duhet ta kuptojmë të gjithë se, për familjet, të dashurit e të cilave u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata të cilëve iu shkatërruan jetët dhe për të mbijetuarit që mbajnë plagë që asnjë sy nuk mund t’i shohë, ajo mëngjes nuk ka përfunduar kurrë vërtet”, ka shkruar Rama.

Kryeministri ka kujtuar edhe vizitën e tij në vendin ku u zhvillua festivali i muzikës Nova, ku gjatë sulmit u vranë shumë të rinj. “Ka vende ku heshtja flet më fort se fjalët dhe Nova është një prej tyre”, shkruan Rama, duke shtuar se të rinjtë ishin mbledhur për të festuar, por “jetët e tyre u morën nga errësira e urrejtjes dhe terrorit”. Në mesazhin e tij, Rama ka sjellë në vëmendje edhe Besën, si një prej vlerave të rëndësishme të traditës shqiptare. Rama ka përmendur edhe qëndrimin e shqiptarëve gjatë Holokaustit, kur shumë familje shqiptare strehuan hebrenj të rrezikuar nga përndjekja naziste.

“Në Shqipëri kemi një fjalë që përmban një kod të tërë moral: Besa. Një premtim që nuk mund të thyhet”, shkruan ai.

Sipas tij, kjo trashëgimi historike kërkon që shoqëria të mos lejojë normalizimin e antisemitizmit dhe që kujtesa për viktimat të ruhet.

“Duhet që kujtesa të mos i dorëzohet indiferencës, që dhimbja të mos braktiset në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet më kurrë të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve dhe që t’u qëndrojmë besnikë miqve tanë edhe në orët e tyre më të errëta”, ka shkruar kryeministri.

Në fund të reagimit, Rama u ka shprehur ngushëllime familjeve që përkujtojnë sot të afërmit e tyre. “Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që vajton sot: Kujtimi i të dashurve tuaj qoftë një bekim i përjetshëm”, përfundon mesazhi i tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme