3 vjet nga sulmi në Banjskë, Kosova vazhdon të kërkojë drejtësi dhe dorëzimin e Radojçiç

Më 24 shtator të vitit 2023, veriu i Kosovës u përfshi nga një prej sulmeve më të rënda të pasluftës. Në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur serbësh sulmoi një patrullë të Policisë së Kosovës, duke vrarë oficerin Afrim Bunjaku dhe plagosur dy të tjerë. Gjatë përleshjeve pranë Manastirit të Banjskës, u vranë edhe tre serbë, pjesë e grupit të armatosur.
Në trevjetorin e ngjarjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi sërish Banjskën sulm terrorist dhe kërkoi që organizatori Milan Radoiçiç dhe të akuzuarit e tjerë të përballen me drejtësinë në Prishtinë. Kurti e ngriti këtë çështje edhe gjatë takimeve në Nju-Jork, ku kërkuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për të ushtruar presion ndaj Beogradit.
“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, drejtuar dhe financuar nga Beogradi, të cilin e kryesonte kryekrimineli Milan Radoiçiç, dështoi në sulmin tinëzar që kishte qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje dhe aneksimin e veriut të Kosovës. Ne asnjëherë nuk do të heqim dorë derisa të gjithë ata të kenë marrë dënimin e merituar. Kosova ka fituar mbi agresionin dhe krimin. Heroi mbi terroristët”- shkruan Kurti.
Edhe përfaqësitë e huaja në Prishtinë iu bashkuan Kosovës në nderimin e oficerit Afrim Bunjaku. “Përsërisim thirrjen që autorët të vihen para drejtësisë”- thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-së. “Llogaridhënia mbetet thelbësore.
Përgjegjësit, përfshirë Milan Radoiçiçin, ende nuk janë përballur me drejtësinë”- shkruan ambasada britanike. Pavarësisht se INTERPOL-i e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-nënkryetarin e Listës Serbe, ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Ndërkaq në prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre të akuzuar për sulmin e Banjskës, dy prej tyre me burgim të përjetshëm dhe njëri me 30 vite burg. Në nderim të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Zveçanit do të ngrihet një obelisk kushtuar veprës së tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




