32 programe pa asnjë student! Mungon interesi nga të rinjtë, problematikat shfaqen në universitetet e rretheve
Në universitetet publike të vendit janë 32 programe studimi nga 650 në total, të cilat rezultojnë me asnjë student të regjistruar.
Problematikat shfaqen kryesisht në universitet rajonale, ku preken degët e shkencave ekzakte, atyre sociale dhe gjuhëve të huaja.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, nisur nga eksperienca e viteve të mëparshme, sqaron se çfarë ndodh me këto programe.
“Nëse universitetet e vërejnë që vitet e fundit ka pasur interes, ata nuk është se i mbyllin, por i ‘ngrijnë’ për njëfarë kohe. Nëse nuk do të vijnë më kërkesa nga maturantët për këto fusha, atëherë mbase edhe i mbyllin ose i riorganizojnë. Për programe të caktuara, që ndër vite nuk kanë rezultuar të suksesshme, por në një universitet tjetër rajonal janë të suksesshme, mund të ketë edhe një riorientim. Një pjesë e studentëve mund të lëvizet. Pastaj shikohen elementet ekonomike…” thotë z. Xhelaj.
Në kryeqytet, situata është krejt ndryshe. Veç dy programeve, atij të “Gjuhës, letërsisë dhe qytetërimit hispanik“, i cili rezulton me katër studentë të regjistruar, dhe programit të “Përkthimit dhe interpretimit në gjuhën greke dhe angleze“, ku nuk figuron asnjë student i regjistruar, programet e tjera, madje edhe ato që kanë qenë problematike ndër vite, rezultojnë me një rritje kërkese si pasoje e riorganizimit të tyre.
“Tirana ka vetëm dy programe pa regjistrime. Të tjerat kanë pasur regjistrime mjaftueshëm për të vijuar me programet e studimit. Një universitet që ka 150 programe studimi është një ecuri shumë e mirë, do të thoja,” shton drejtori i RRASH-it.
Deri më tani rezultojnë mbi 21 mijë e 600 maturantë të regjistruar në universitete.
Programet më të preferuara për këtë vit rezultojnë ato të Mjekësisë, Arkitektura dhe inxhinieritë, kuotat e të cilave u plotësuan që në raundin e parë.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





