Trump kërkon marrëveshje të përhershme me Iranin, presidenti amerikan synon të ndalojë përfundimisht ambiciet bërthamore të Teheranit

Amerikë | 3 minuta më parë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se kërkon një marrëveshje të përhershme me Iranin, që do të ndalonte përfundimisht zhvillimin e armëve bërthamore nga Teherani. Në një intervistë për televizionin Fox Neës, Trump tha se marrëveshja duhet të jetë e tillë që të mos ndryshojë, edhe nëse në të ardhmen Shtetet e Bashkuara drejtohen nga një president tjetër.

“Po sigurohem që edhe nëse pas katër, 15 apo 20 vitesh kemi një president të paaftë, marrëveshja që do të arrij do të jetë e përhershme. Nuk do të lejoj askënd që t’i lejojë ata të kenë armë bërthamore”, deklaroi Trump. Duke shpjeguar qëndrimin, Trump u shpreh se, sipas tij, Teherani nuk i ka respektuar marrëveshjet e mëparshme. “Ne bëjmë një marrëveshje dhe ata e shkelin që të nesërmen”, deklaroi presidenti amerikan. Ai shtoi se negociatat me përfaqësuesit iranianë kanë qenë të vështira dhe se Uashingtoni kërkon garanci të qarta për çdo marrëveshje të re.

Trump pretendoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë larguar tashmë dy herë udhëheqjen iraniane dhe se aktualisht po përballen me një grup të tretë drejtuesish, duke e përshkruar këtë si një ndryshim të regjimit në praktikë. Teherani nuk e ka mbyllur derën për diplomacinë dhe po mban kontakte me ndërmjetësuesit në rajon, përfshirë Katarin.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, konfirmoi se një delegacion nga Katari zhvilloi bisedime në Teheran, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti. Megjithatë, palët mbeten larg një marrëveshjeje, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë dhe e ardhmja e negociatave mbetet e pasigurt.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme