Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së/ Ish-presidenti Meidani: Asnjë vendim nuk mund t’ua heqë vendin që ata zënë në historinë e Kosovës

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.
Ai shprehet kritik ndaj mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke ngritur pikëpyetje mbi faktin se gjykimi zhvillohet jashtë Kosovës dhe se në trupin gjykues nuk ka gjyqtarë nga Kosova.
“Aktgjykimi i sotëm në Hagë mban emrin e popullit të Kosovës, por asnjë gjyqtar i atij trupi gjykues nuk i përket Kosovës e nuk e kupton atë, dhe seanca nuk u mbajt as në tokën e saj”, shprehet Meidani.
Sipas tij, vendimi është i shkallës së parë dhe procesi gjyqësor vijon.
“Drejtësia e munguar duhet të jepet! Por, ama, duhet ta përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës, jo ta zhgënjejë atë!”, shkruan ish-Presidenti.
Meidani thekson gjithashtu rëndësinë e kontekstit historik të luftës në Kosovë, duke argumentuar se Kosova dhe populli i saj ishin viktima të dhunës së shtetit serb.
“Ajo që nuk vazhdon të diskutohet është konteksti historik: Kosova dhe populli i saj ishin viktimë e dhunës së shtetit serb, jo palë e barabartë me agresorin”, shprehet ai.
Duke iu referuar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Meidani thotë se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë, sipas tij, vendin që ata zënë në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.
“Personalisht mendoj se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë vendin që zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare”, shkruan Meidani.
Ai shprehet se i ka njohur katër ish-drejtuesit e UÇK-së si luftëtarë dhe udhëheqës dhe thotë se qëndron pranë tyre dhe familjeve të tyre.
Në reagimin e tij, Meidani thekson edhe mbështetjen e tij për orientimin euroatlantik të Shqipërisë, por argumenton se kjo nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë asaj që ai e konsideron të padrejtë.
“Besnikëria ndaj asaj rruge nuk kërkon heshtje kur diçka na duket e padrejtë. Kërkon që t’u kërkojmë aleatëve tanë Perëndimorë që t’u përmbahen, në çdo rast dhe për çdo popull, sado i vogël qoftë ai, parimeve mbi të cilat është ngritur demokracia”, shprehet ai.
Në fund, Meidani bën thirrje që dënimet të kundërshtohen përmes të gjitha mjeteve ligjore në dispozicion dhe i kërkon Kuvendit të Kosovës të shqyrtojë të ardhmen e kësaj gjykate.
“Prandaj besoj se këto dënime duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, me çdo mjet ligjor në dispozicion”, përfundon ish-Presidenti i Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



