RTSH TANI — Platforma OTT e Radio Televizionit Shqiptar
1. Pranimi i Kushteve
Këto Kushte të Përdorimit (“Kushtet”) rregullojnë aksesin dhe përdorimin e aplikacionit “RTSH TANI” (“Aplikacioni”) dhe të shërbimeve të ofruara nëpërmjet tij (“Shërbimi”). Duke u regjistruar, instaluar ose përdorur Aplikacionin, ju (“Përdoruesi”) deklaroni se i keni lexuar, kuptuar dhe pranuar këto Kushte dhe Politikën e Privatësisë.
Nëse nuk pajtoheni me këto Kushte, ju lutemi mos e përdorni Aplikacionin. Pranimi shprehet nëpërmjet mekanizmit të pranimit brenda Aplikacionit në momentin e regjistrimit, ku përdoruesi duhet të klikojë opsionin për të pranuar këto Kushte përpara krijimit të llogarisë.
2. Ofruesi i Shërbimit
Shërbimi ofrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), me adresë në Rruga “Ismail Qemali”, Nr. 11, Tiranë, Shqipëri, me adresë e-mail zyrtare [email protected], ueb-faqe www.rtsh.al dhe NIPT J61904073W. Çdo komunikim lidhur me funksionimin e platformës ose çështje administrative mund të bëhet nëpërmjet këtyre kanaleve të kontaktit.
3. Përkufizime
“Aplikacioni RTSH TANI” — aplikacioni OTT i zhvilluar për llogari të RTSH-së, i disponueshëm në pajisjet celulare, tablet, Smart TV (Samsung, LG, Android TV) dhe Set-Top Box (STB), nëpërmjet të cilit ofrohet Shërbimi.
“Përmbajtja” — kanalet televizive live, stacionet radiofonike, guida elektronike e programeve (EPG), përmbajtja e regjistruar e disponueshme nëpërmjet funksionit “catch-up” dhe çdo material tjetër audio, video apo grafik i vënë në dispozicion në platformë.
“Përdoruesi” — çdo person fizik që krijon një llogari dhe përdor Aplikacionin sipas rregullave të përcaktuara në këtë dokument.
“Kontrolluesi” — Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), i cili përcakton qëllimet dhe mjetet e përpunimit të të dhënave personale të mbledhura nëpërmjet platformës.
“Përpunesi” — shoqëria “MC Networking” Shpk, me seli në Njesia bashkiake nr 5, rruga Pjeter Bogdani, godina nr 3, Tiranë (NIPT: K72223007O), e cila menaxhon dhe mirëmban infrastrukturën teknike të platformës OTT sipas kontratës së lidhur më 30 Prill 2026.
4. Përshkrimi i Shërbimit
RTSH TANI është një platformë OTT (Over-The-Top) që mundëson transmetimin e kanaleve televizive dhe radiofonike të RTSH-së në pajisje të ndryshme në mbarë botën. Shërbimi përfshin integrimin e plotë të Guidës Elektronike të Programeve (EPG) në formatin XML dhe XML TV nga një burim FTP të ofruar nga RTSH, si dhe funksionin e regjistrimit të programeve (catch-up) deri në 7 (shtatë) ditë nga fillimi i transmetimit të tyre live.
RTSH ka të drejtë të shtojë, heqë ose modifikojë kanalet, përmbajtjen, paketat dhe funksionalitetet e Shërbimit në çdo kohë, pa njoftim paraprak, bazuar në të drejtat e transmetimit dhe nevojat e tij editoriale e programore.
5. Regjistrimi dhe Llogaria
Për të përdorur Shërbimin, Përdoruesi duhet të kryejë një regjistrim unik duke plotësuar fushat e detyrueshme në ndërfaqen e Aplikacionit: adresë e-mail, emër përdoruesi (user), fjalëkalim (password – i cili duhet të vendoset dy herë për verifikim dhe ruhet në formë të enkriptuar), mosha, qyteti ose shteti i banimit dhe gjinia. Si dhënë opsionale (preferenciale), përdoruesi mund të zgjedhë të plotësojë edhe nivelin e arsimit (i lartë, i mesëm, i ulët).
Mekanizmi i rivendosjes së fjalëkalimit është tërësisht automatik dhe mund të iniciohet duke zgjedhur opsionin “Harrova fjalëkalimin” brenda ndërfaqes së Aplikacionit. Pas regjistrimit të parë, Aplikacioni do të memorizojë përdoruesin në pajisjen e tij për të shmangur nevojën për ri-regjistrim ose ri-hyrje të vazhdueshme, përveç rasteve kur përdoruesi zgjedh vetë të çregjistrohet ose të ndryshojë kredencialet e tij.
Mosha minimale për të krijuar një llogari në mënyrë të pavarur është 16 vjeç, në përputhje me Nenin 8, pika 6 të Ligjit Nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale”. Regjistrimi për përdoruesit nën moshën 16 vjeç është i ligjshëm vetëm kur pëlqimi jepet ose autorizohet nga prindi ose kujdestari i tij ligjor.
6. Disponueshmëria Gjeografike dhe Kufizimet (Geo-blocking)
Për shkak të licencave dhe kufizimeve të të drejtave të transmetimit të eventeve specifike (p.sh. ngjarje sportive apo përmbajtje të tjera të licencuara ekskluzivisht), disa kanale ose evente të veçanta mund të bllokohen gjeografikisht për rajone ose vende të caktuara (geo-blocking).
Ky proces kryhet automatikisht në bazë të IP-së gjeografike të përdoruesit në bashkëpunim me sistemet Middleware dhe serverat Edge të CDN-së. Kur aplikohet geo-blocking, në ekran do të shfaqet një njoftim specifik i modifikueshëm në vend të videos dhe zërit. Përdoruesit i ndalohet rreptësisht anashkalimi i këtyre kufizimeve duke përdorur VPN, proxy apo mjete të tjera të ngjashme.
7. Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale
E gjithë Përmbajtja e vënë në dispozicion në platformën RTSH TANI mbrohet nga e drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe konventave ndërkombëtare. Çdo formë e riprodhimit, regjistrimit jashtë funksionalitetit të lejuar, shpërndarjes, transmetimit publik, shfaqjes në ambiente publike apo përdorimi tjetër i paautorizuar i Përmbajtjes është i ndaluar dhe përbën shkelje ligjore.
8. Përdorimi i Lejuar dhe Siguria
Aplikacioni ofrohet ekskluzivisht për përdorim personal dhe jokomercial të përdoruesit. Përdoruesi merr përsipër të respektojë rregullat e mëposhtme të sigurisë:
• Të mos anashkalojë, modifikojë apo çaktivizojë masat e mbrojtjes teknologjike të shërbimit. Çdo stream i kanaleve të platformës mbrohet në mënyrë të rreptë përmes enkriptimit DRM të realizuar me teknologjinë AES 128-bit;
• Të mos përdorë llogarinë e tij për të ndërhyrë apo dëmtuar infrastrukturën teknike të platformës, serverat origjinë apo serverat edge;
• Të marrë parasysh se sistemi Middleware ndan dhe menaxhon në mënyrë të saktë stream-et e shërbyera për pajisjet STB, mobile dhe TV, dhe çdo përpjekje për të manipuluar këto stream-e do të çojë në bllokimin e llogarisë.
9. Reklamat (Splash dhe Zap Ads)
Platforma RTSH TANI ofron mundësinë e shfaqjes së reklamave të cilat vendosen dhe kontrollohen tërësisht nga stafi i RTSH-së. Reklamat në platformë ndjekin këto rregulla teknike:
a) Splash Ads: Reklamë në formë fotoje ose videoje që shfaqet në momentin e parë kur hapet aplikacioni me kohëzgjatje fikse prej 5 sekondash;
b) Zap Ads: Reklamë në formë fotoje ose videoje që shfaqet kur përdoruesi ndryshon kanalin televiziv apo radiofonik, me kohëzgjatje maksimale prej 10 sekondash;
c) Përdoruesi gëzon të drejtën për të hequr manualisht reklamën (skip) pas sekondës së 4-ët të shfaqjes së saj.
10. Kontrolli Prindëror
Aplikacioni ofron një mekanizëm të kontrollit prindëror për bllokimin e aksesit të eventeve dhe programeve specifike. Ky informacion merret direkt nga Guida Elektronike (EPG) e lidhur me kategorizimin e moshave. Ky funksion është i fikur (off) në momentin e instalimit të parë të Aplikacionit dhe mund të aktivizohet e konfigurohet manualisht nga përdoruesi i rritur duke vendosur një kod mbrojtës dhe duke përzgjedhur kategorizimin e moshës së lejuar.
11. Disponueshmëria e Shërbimit dhe Mirëmbajtja
Ofrimi i shërbimit OTT të RTSH TANI mbështetet në një infrastrukturë të sigurt dhe profesionale të ofruar dhe të mirëmbajtur nga kontraktori MC Networking Shpk. Kompania garanton një disponueshmëri të shërbimit për 99.5% të kohës të llogaritur në bazë mujore. Shërbimi mund të ndërpritet përkohësisht për arsye përditësimi, mirëmbajtjeje të planifikuar apo defektesh të paparashikuara. Sistemi është i mbrojtur nga sulmet DDoS në nivelin e serverit origjinë dhe serverave edge të CDN-së.
12. Pezullimi dhe Ndërprerja e Llogarisë
RTSH ka të drejtë të pezullojë ose të mbyllë llogarinë e çdo përdoruesi, pa njoftim paraprak, në rast se konstatohet se përdoruesi ka shkelur rregullat e këtij dokumenti, ka tentuar të anashkalojë geo-blocking ose enkriptimin DRM AES 128-bit, apo ka kryer veprime të jashtëligjshme në platformë. Përdoruesi mund të kërkojë fshirjen e llogarisë së tij në çdo kohë përmes opsioneve të ndërfaqes së llogarisë.
13. Kufizimi i Përgjegjësisë
Shërbimi ofrohet “siç është” dhe “sipas disponueshmërisë”. RTSH dhe kontraktori i tij teknik nuk mbajnë përgjegjësi për dëme, humbje të dhënash ose pamundësi të aksesimit të shërbimit që vijnë si pasojë e kufizimeve të linjës së internetit të përdoruesit, konfigurimeve të pajisjeve të tij ose rrethanave të forcës madhore.
14. Mbrojtja e të Dhënave Personale
Përpunimi i të dhënave personale të përdoruesve bëhet në përputhje me parimet e parashikuara në Ligjin e ri Nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale”. Të dhënat përpunohen vetëm për qëllime të ofrimit të shërbimit OTT, menaxhimit të llogarive dhe gjenerimit të statistikave të përdorimit. Detajet mbi përpunimin pasqyrohen në Politikën e Privatësisë, e cila është pjesë integrale e këtyre Kushteve.
15. Ndryshimet e Kushteve
RTSH ka të drejtë të modifikojë këto Kushte të Përdorimit herë pas here. Versioni i përditësuar do të publikohet në Aplikacion me datën përkatëse të hyrjes në fuqi. Vazhdimi i përdorimit të Shërbimit pas publikimit të ndryshimeve përbën pranim të plotë të Kushteve të reja nga ana e përdoruesit.
16. Ligji i Zbatueshëm dhe Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve
Këto Kushte të Përdorimit rregullohen dhe interpretohen në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Çdo mosmarrëveshje që mund të lindë lidhur me interpretimin apo zbatimin e tyre, e cila nuk zgjidhet dot në rrugë miqësore, do të dërgohet për zgjidhje në Gjykatën e Shkallws sw Parw tw Juridiksionit tw Pwrgjithshwm Tiranë ose në Gjykatën Administrative tw Shkallws sw Parw Tiranë, sipas kompetencës.
17. Kontakti
Për çdo pyetje apo paqartësi rreth këtyre Kushteve, përdoruesi mund të kontaktojë RTSH-në në adresën e-mail: [email protected]. Për çështje që lidhen posaçërisht me përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale, përdoruesi mund t’i drejtohet direkt Zyrtarit për Mbrojtjen e të Dhënave (DPO) të RTSH-së në adresën e-mail [email protected].
18. Dispozita Specifike sipas Dyqanit të Aplikacioneve
Aplikacioni RTSH TANI shpërndahet nëpërmjet dyqaneve zyrtare të aplikacioneve për çdo platformë, sipas kërkesave minimale të sistemeve operative si vijon:
18.1 Apple App Store (iOS / iPadOS): Këto Kushte lidhen ekskluzivisht ndërmjet përdoruesit dhe RTSH-së, jo me Apple. Apple nuk ka asnjë detyrim për mirëmbajtje apo mbështetje teknike. Aplikacioni kërkohet të instalohet në telefonat me iOS version ≥ 9.3 dhe tabletët me iPadOS version ≥ 10. Apple dhe filialet e saj janë përfitues të tretë të këtyre Kushteve.
18.2 Google Play (Android / Android TV): Përdorimi i aplikacionit në pajisjet Android i nënshtrohet gjithashtu Kushteve të Shërbimit të Google Play. Aplikacioni kërkohet të instalohet në telefonat dhe tabletët me sistem operimi Android version ≥ 5.0, në pajisjet Android TV version ≥ 9.0 dhe në STB (Set-Top Box) Android version ≥ 5.0.
18.3 Samsung Tizen OS TV: Përdorimi i aplikacionit në pajisjet Smart TV Samsung i nënshtrohet gjithashtu rregullave dhe kushteve të Samsung. Aplikacioni kërkohet të instalohet në Smart TV Samsung me sistem operimi Tizen TV version ≥ 2.3.
18.4 LG WebOS TV: Përdorimi i aplikacionit në pajisjet Smart TV LG i nënshtrohet kushteve përkatëse të LG Content Store. Aplikacioni kërkohet të instalohet në Smart TV LG me sistem operimi WebOS TV version ≥ 2.0.