“Duke luftuar për Kosovën që sot e quajmë shtëpi”, Dua Lipa dhe Rita Ora reagojnë pas vendimit të Hagës

Dua Lipa dhe Rita Ora kanë reaguar në rrjetet sociale pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë, që i dënoi ato me 81 vite burg në total.
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar në Instagram dy postime, ku në njërin prej postimeve shfaqet mesazhi “Liria ka emër”, i shoqëruar me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në postimin tjetër janë renditur shifra që lidhen me pasojat e luftës në Kosovë, ku përmenden 1 milion refugjatë, 11 mijë të vrarë, 1,024 fëmijë të vrarë, 20 mijë persona të dhunuar dhe 1,600 persona që rezultojnë ende të zhdukur nga forcat serbe.
Edhe këngëtarja Rita Ora, ka publikuar një fotografi ku shfaqet emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Duke luftuar për Kosovën që sot e quajmë shtëpi”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë së publikuar nga këngëtarja.
Reagimet e dy këngëtareve vijnë në një ditë kur aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka sjellë reagime të shumta në Kosovë dhe në mesin e figurave publike shqiptare duke e cilësuar vendim të padrejtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







