Muzeu Etnografik i Lumës, tradita që ruhet në shkollën ” Bajram Abdiu” në Bicaj
Prej një viti, në shkollën “Bajram Abdiu” në Bicaj, nxënësit kanë një hapësirë të veçantë ku mund të njihen nga afër me historinë, kulturën dhe traditat e krahinës së Lumës. Muzeu etnografik, i ngritur me nismën dhe angazhimin e mësuesve e nxënësve, ka mbledhur objekte të trashëguara ndër breza, duke e kthyer shkollën në një hapësirë ku e shkuara takohet me brezat e rinj.
Krahas objekteve, në muze janë përmbledhur edhe materiale të printuara që pasqyrojnë momente dhe figura të rëndësishme të historisë së Lumës, si dhe historikun e vetë shkollës “Bajram Abdiu”. Kjo hapësirë shërben edhe si një mënyrë praktike për t’ua përcjellë nxënësve njohuritë për traditën dhe identitetin kulturor të zonës.
Puna për krijimin e muzeut nisi në vitin 2023 dhe gjatë viteve vijoi me mbledhjen, ruajtjen dhe sistemimin e objekteve. Në kuadër të këtij projekti janë zhvilluar edhe orë të hapura mësimore, duke u dhënë nxënësve mundësinë të mësojnë për historinë dhe trashëgiminë e Lumës përmes objekteve autentike.
Mësuesit synojnë që muzeu të pasurohet më tej me objekte dhe materiale të reja, në mënyrë që kjo hapësirë të shërbejë jo vetëm si një koleksion i trashëgimisë së zonës, por edhe si një pikë referimi për brezat e rinj.
Gazetare: Sh. Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




