50 vjet pas suksesit të “Rocky”, Stallone rrëfen prapaskenat

Pesëdhjetë vjet pasi Sylvester Stallone arriti një nga sukseset më të mëdha financiare dhe artistike në historinë e Hollywood-it me filmin “Rocky”, ylli i kinematografisë reflekton mbi rrugëtimin e tij jetësor. Në moshën 80-vjeçare, aktori dhe regjisori i njohur nuk identifikohet më si një person jashtë sistemit, por e quan veten thjesht të favorizuar nga fati.
Pasi mbushi 80 vjeç në korrik, Stallone mbetet një nga figurat më produktive të industrisë, me miliarda dollarë të gjeneruara nga filma si “Rocky”, “Rambo” dhe “The Expendables”, si dhe me rolin e tij aktual në serialin “Tulsa King”.
“Do të ishte shumë e pandershme të thuash se je ende një i pamundur apo i dobët, kur e thot këtë nga një apartament luksoz në katin e fundit. Po, unë jam thjesht një njeri me shumë fat.”, thotë Sylvester Stallone.
Libri i ri autobiografik “The Steps”
Në librin e tij autobiografik të titulluar “Steps”, Stallone risjell në vëmendje ditët e tij të vështira si një aktor dhe skenarist i ri, i cili arriti të bindë studiot kinematografike që të mbështesnin historinë e një boksieri nga Filadelfia.
Shkrimi i këtij libri kërkonte rikthimin te kujtime të cilat ai i kishte mënjanuar për dekada me radhë.
Stallone shpjegon se pasiguria ka qenë forca kryesore lëvizëse që e shtynte të punonte me orë të tëra çdo ditë.
Gjatë periudhës më të vështirë në moshën 29-vjeçare, ai përjetoi një zgjim shpirtëror që ndikoi drejtpërdrejt në skenat ikonike të filmit, përfshirë zgjedhjen e palestrës “The Resurrection”.
Aktori përmend operacionet e shumta në shpinë, qafë, shpatulla dhe zemër si pasojë e përkushtimit fizik në xhirime.
Lidhja me brezat e rinj dhe projektet e reja
Pavarësisht kalimit të viteve, personazhi i Rocky Balboa vazhdon të mbetet i gjallë edhe për brezin e ri përmes platformave digjitale. Ndërkohë, historia e krijimit të filmit origjinal po përshtatet gjithashtu në një projekt të ri kinematografik të titulluar “I Play Rocky”, me regji nga Peter Farrelly.
“Nuk e prisja kurrë që filmi të shfaqej në më shumë se një ose dy kinema. Pra, e gjithë kjo është një cunam fati të mirë. Ai film preku diçka për të cilën unë nuk mund të marr të gjitha meritat.”, komenton Stallone.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




