Zbulohen imazhe mahnitëse të galaktikave spirale, ofrojnë detaje mbi formimin dhe evolucionin e tyre

Kuriozitete | 3 vite më parë

Një seri imazhesh mahnitëse të marra nga teleskopi hapësinor James Webb përshkruajnë 19 galaktika spirale relativisht afër galaktikës tonë në detaje të jashtëzakonshme , duke ofruar njohuri të reja mbi formimin e yjeve si dhe strukturën dhe evolucionin galaktik.

Imazhet u publikuan nga një ekip shkencëtarësh që merren me studimin e galaktikave afër galaktikës tonë. Më e afërta nga 19 galaktikat quhet NGC5068 , rreth 15 milionë vite dritë nga Toka , dhe më e largëta prej tyre është NGC1365 , rreth 60 milionë vite dritë larg.

Imazhet e reja të teleskopit hapësinor James Webb tregojnë rreth 100,000 grupime yjesh dhe miliona ose ndoshta miliarda yje individualë.

Imazhet i lejojnë shkencëtarët për herë të parë të analizojnë me detaje të larta strukturën e reve të pluhurit dhe gazit nga të cilat formohen yjet dhe planetët.

“Imazhet nuk janë vetëm estetikisht mahnitëse, por gjithashtu tregojnë një histori për ciklin e formimit të yjeve dhe reagimet, domethënë energjinë dhe vrullin e lëshuar nga yjet e rinj në hapësirën ndëryjore,” tha astronomja Janice Lee e Institutit Shkencës të Teleskopit Hapësinor në Baltimore.

Vëzhgimet e James Webb shkojnë përtej atyre të teleskopit hapësinor Hubble .

“Duke përdorur Hubble, ne po shihnim dritën e yjeve nga galaktikat, por një pjesë e dritës po bllokohej nga pluhuri në galaktika. Ky kufizim e bëri të vështirë kuptimin e pjesëve se si funksionon një galaktikë si sistem. Me imazhet infra të kuqe të Webb-it, ne mund të shikojmë përmes këtij pluhuri për të parë yjet pas tij,” tha astronomi Eric Rosolowski nga Universiteti i Albertës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme