Ekspozohen “alienët” në Meksikë/ Ufologu tregon “ADN-në” e panjohur nga njerëzimi

Gazetari dhe ufologu, Hose Hajme Musan (o. José Jaime Maussan) u ka prezantuar politikanëve në Meksikë ato që ai pretendon se janë dy kufoma alienësh të marra nga Kusko, dikur kryeqytet i perandorisë inkase dhe tani qytet në Peru.
Kufomat e supozuara janë paraqitur në kuti dritaresh në Meksiko-Siti, duke shkaktuar entuziazëm tek komuniteti i teoricienëve të UFO-ve.
Sipas raportimeve të medieve meksikane, Musani dëshmoi nën betim se ekzemplarët e mumifikuar nuk janë pjesë e “evolucionit tonë tokësor” dhe se gati një e treta e ADN-së së tyre është “e panjohur”.
Në një seancë publike, Musani u tregoi zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të qeverisë meksikane disa video të “UFO-ve dhe fenomeneve anormale të paidentifikuara”, përpara se të zbulonte kufomat e supozuara të alienëve.

Musani është shprehur se mostrat ishin studiuar nga shkencëtarët e Universitetit Kombëtar Autonom të Meksikës (UNAM), të cilët thuhet se ishin në gjendje të nxirrnin prova të ADN-së duke përdorur radiokarbon.
Ai pretendon se pas krahasimit me mostrat e tjera të ADN-së, më shumë se 30 për qind e mostrave të ADN-së u gjet se ishin “të panjohura”.
Gjatë seancës dyshohet se u shfaqën rrezet iks të mostrave dhe ekspertët dëshmuan nën betim se në njërin prej trupave kishte “vezë” brenda, ndërsa të dy u tha se kishin implante nga metale shumë të rralla, si osmiumi.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




