Studimi: Krijimi i një jete të re ndodh në Tokë çdo 36 milionë vjet

Kuriozitete | 3 vite më parë

Lëvizja në pllakat tektonike të Tokës në mënyrë indirekte shkakton shpërthime të biodiversitetit në cikle 36 milionë-vjeçare duke shkaktuar ngritjen dhe rënien e nivelit të detit, ka treguar një studim i ri.

Studiuesit besojnë se këto cikle gjeologjike të ndryshimit të nivelit të detit kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në diversitetin e specieve detare, që datojnë të paktën 250 milionë vjet më parë.

Ndërsa nivelet e ujit rriten dhe bien, habitate të ndryshme në shelfin kontinental dhe në detet e cekëta zgjerohen dhe tkurren, duke ofruar mundësi për organizmat që të lulëzojnë ose të vdesin. Duke studiuar të dhënat fosile, shkencëtarët kanë treguar se këto ndryshime shkaktojnë shpërthime të jetës së re.

Hulumtimi, i botuar në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”, u drejtua nga profesori i asociuar Slah Boulila nga Universiteti i Sorbonës në Paris.

 “Për sa i përket tektonikës, cikli 36 milionë-vjeçar shënon ndryshime midis përhapjes më të shpejtë dhe më të ngadaltë të shtratit të detit, duke çuar në ndryshime ciklike në thellësinë e oqeanit dhe në transportin tektonik të ujit në thellësi të Tokës. Këto nga ana e tyre kanë çuar në luhatje në përmbytjet dhe tharjen e kontinenteve, që favorizojnë biodiversitetin”, tha bashkautori i studimit, Profesor Dietmar Muller, nga Shkolla e Gjeoshkencave të Universitetit të Sidneit.

Ekipi i bazoi gjetjet e tij në zbulimin e cikleve jashtëzakonisht të ngjashme në variacionet e nivelit të detit, mekanizmat e brendshëm të Tokës dhe të dhënat fosile detare. Shkencëtarët tani kanë prova dërrmuese se ciklet tektonike dhe ndryshimi global i nivelit të detit të nxitur nga dinamika e Tokës kanë luajtur një rol kyç në formësimin e biodiversitetit të jetës detare për miliona vjet.

“Ky hulumtim sfidon idetë e mëparshme se pse speciet kanë ndryshuar gjatë periudhave të gjata,” tha profesor Müller.

Ky hulumtim hedh poshtë supozimet e mëparshme se pse speciet ndryshojnë gjatë periudhave të gjata kohore. Ciklet janë 36 milionë vjet për shkak të pllakave tektonike që kalojnë nëpër mantel, pjesa e lëvizshme e Tokës së thellë./ CNN.gr

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme