Pse zërat tanë ndryshojnë me moshën

Kuriozitete | 3 vite më parë

Kordat vokale janë ato që prodhojnë tingullin e zërit tonë. Ato janë të vendosura në laring, një pjesë e sistemit të frymëmarrjes që lejon ajrin të kalojë nga fyti në mushkëri. Kur ajri kalon nga mushkëritë dhe përmes laringut, ai bën që kordat vokale të dridhen, duke prodhuar tinguj .

Para pubertetit, ka shumë pak ndryshim në tingullin që prodhojnë kordat vokale midis femrave dhe meshkujve. Por gjatë pubertetit, hormonet fillojnë të ushtrojnë efektet e tyre. Kjo ndryshon strukturën e laringut, duke e bërë “mollën e Adamit” më të spikatur te meshkujt dhe gjatësinë  e kordave vokale. Pas pubertetit, ato janë rreth 16 mm në gjatësi tek meshkujt dhe 10 mm tek femrat.

Kordat vokale të grave janë gjithashtu  20-30%  më të holla pas pubertetit. Këto korda vokale më të shkurtra dhe më të holla janë arsyeja pse gratë zakonisht kanë  zëra më të lartë se burrat.

Edhe pas pubertetit, hormonet mund të ndikojnë në zë. Për shembull, zëri i një gruaje mund të tingëllojë ndryshe në varësi të fazës së ciklit të saj menstrual, ku  cilësia më e mirë e zërit  është në fazën e ovulacionit. Kjo ndodh sepse gjëndrat prodhojnë më shumë mukozë gjatë kësaj faze, duke u dhënë kordave vokale aftësinë e tyre më të mirë funksionale.

Por as zërat tanë nuk janë të imunizuar ndaj efekteve të plakjes. Ndërsa plakemi, laringu fillon të rrisë përmbajtjen e tij minerale, duke e bërë atë më të ngurtë dhe më shumë si kockë sesa kërc. Ky ndryshim mund të fillojë të ndodhë qysh në  të tridhjetat veçanërisht te meshkujt. Kjo i bën kordat vokale më pak fleksibël.

Muskujt që lejojnë kordat vokale të lëvizin gjithashtu fillojnë të humbasin, siç bëjnë muskujt tanë të tjerë, me kalimin e moshës. Ligamentet dhe indet që mbështesin kordat vokale gjithashtu  humbasin elasticitetin, duke u bërë  më pak fleksibël. Ka gjithashtu një rënie në  funksionin e muskujve pulmonar, duke reduktuar fuqinë e ajrit të nxjerrë nga mushkëritë për të krijuar tingullin. Numri i gjëndrave që prodhojnë mukozën mbrojtëse gjithashtu zvogëlohet, krahas një reduktimi në aftësinë për të kontrolluar laringun./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme