Ndalimi i 16 shtetasve serbë në Kosovë, lirohen 10 nga të dyshuarit për mbledhje informacionesh të inteligjencës
16 shtetas serbë janë ndaluar të shtunën dhe të dielën në Gjakovë dhe Prizren, katër prej të cilëve sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, rezultojnë të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë.
Ministri Sveçla, përmes një postimi në Facebook, tha se sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për shënjestra të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe, si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar për 48 orë.
“Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe,” shkroi z. Svecla, ndërkohë që raportohet se 10 nga këta të ndaluar janë liruar.
Ministri Sveçla gjithashtu bëri të ditur se njëri nga të arrestuarit në Prizren ishte i afërt me të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira,” shkroi z. Sveçla në Facebook.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





