Lëndimi i deputetit Kliti Hoti gjatë protestës, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi kërkon hetim të paanshëm dhe transparent

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas ngjarjes së regjistruar gjatë protestës së sotme në Tiranë, ku mbeti i lënduar deputeti Kliti Hoti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi u shpreh se e ka mësuar me keqardhje dhe shqetësim këtë incident, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave nga institucionet ligjzbatuese.
Në mesazhin e tij, kreu i Kuvendit i përcolli mbështetjen deputetit të lënduar dhe apeloi për verifikimin e çdo rasti të regjistruar gjatë zhvillimeve të ditës.
“I uroj shërim të shpejtë dhe i shpreh solidaritetin tim të plotë, atij dhe familjes së tij. Kërkoj nga organet kompetente, një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për rrethanat e këtij incidenti dhe të çdo lëndimi tjetër të sotëm”, shkruan Peleshi.
Thirrja për përgjegjësi ligjore dhe respektim të Kushtetutës
Peleshi vuri theksin te nevoja për zbatimin e barabartë të ligjit për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo ka kryer veprime të kundërligjshme. Ai deklaroi prerazi se “nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia duhet vendosur sipas ligjit, kushdo qoftë ai që i ka kryer”.
Në mbyllje të qëndrimit të tij, Kryetari i Kuvendit ripërsëriti balancën mes lirisë së tubimit dhe ruajtjes së rendit publik, duke theksuar se “e drejta e protestës paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe duhet respektuar”, por njëkohësisht nënvizoi se “asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



