Kosova dhe Maqedonia e Veriut hapin pikëkalimin e përbashkët kufitar, Hani i Elezit–Bllacë

Kosovë | 1 vit më parë

Qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të jenë subjekt i procedurave të kontrollit kufitar vetëm në hyrje të shtetit pritës, pasi këtë të shtunë u inaugurua pika e përbashkët e kalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë. Krerët e qeverive të dy vendeve u shprehën se ky model i kalimit kufitar “one stop shop” mundëson lëvizjen më të shpejtë të qytetarëve.

“Tani e tutje, qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërkohë që të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik. Ky model do të mundësojë sistemin e policisë kufitare vetëm në hyrje, duke optimizuar resurset dhe rritur kapacitetin për përballimin e fluksit në rritje të qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi 5 milionë qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo shifër dëshmon për lidhjet mes njerëzve tanë, por edhe për nevojën për lëvizje të lirë – si të qytetarëve, ashtu edhe të mallrave,” u shpreh kryeministri i Kosovës, Alban Kurti.

“Kufiri mund dhe duhet të jetë ura jonë e përbashkët që lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë, një urë përmes së cilës flitet për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe të turizmi dhe ku kalojnë miliona qytetarë, por edhe miliona shpresa dhe plane. Kjo nismë dëshmon se kur ekziston vullneti i sinqertë politik, nuk ka asnjë sfidë që nuk mund të kalohet,” shtoi homologu maqedonas, kryeministri Hristijan Mickoski.

Hapja e pika së përbashkët e kalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë ishte parashikuar në protokollin e zbatimit të marrëveshjes mes qeverive të dy vendeve, nënshkruar gjatë mbledhjes së përbashkët që mbajtën në nëntor të vitit të shkuar.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme