Blegtoria, interes i lartë për subvencionet, mbi 3200 fermerë kanë aplikuar në skemat mbështetëse
Blegtoria po shndërrohet në një nga sektorët më të suksesshëm dhe rentabël në qarkun e Shkodrës. Specialistë të fushës theksojnë se skemat subvencioneve qe funksionojnë prej disa vitesh kanë ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të krerëve të bagëtive dhe në krijimin e fermave të mëdha në këtë zonë.
“Shumë fermerë blegtor janë joshur nga subvencionet. Tani i marrin çdo vit. Janë ndërgjegjësuar që duhen krerë të matrikuluara, dokumentacione të tjera, sigurime të paguara. Po shtojnë numrin e krerëve, po bëhen ferma më të mëdha”, tha Sherif Brahaj, specialist AREB Shkodër.
Një ndër masat shtesë ne skemën e subvencioneve të qeverisë për këtë vit është mbështetja për blegtorët që rrisin viça për majmëri. Kjo masë ka nxitur interes, duke rritur numrin e blegtorëve nga qarku i Shkodrës që kanë aplikuar deri tani për të përfituar nga subvencionet.
Ndërkohë që kanë mbetur gati tri javë nga mbyllja e procesit të aplikimit në skemat e subvencionve për bujqësinë dhe blegtorinë, deri më tani, mbi 3200 fermerë nga qarku i Shkodrës kanë realizuar aplikimet e tyre, shumica e të cilëve kanë treguar interes të veçantë për skemën mbështetëse të naftës.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





