Hamami i Durrësit hap dyert për vizitorët, restaurimi rikthen një monument kulture për turizmin
Hamami turk, monument kulture i kategorisë së parë, në Durrës ka rihapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj, pas një restaurimi të plotë me një fond prej 32 milionë lekësh nga programi EU4Culture i BE-së.
Godina e shekullit XVIII është një nga dhjetë hamamet e mbijetuar në Shqipëri dhe hapet për herë të parë për publikun, pasi më parë nuk ka qenë i aksesueshëm për shkak të amortizimit.
“Hamami është një objekt mjaft i rëndësishëm dhe po hapet për herë të parë në Durrës për vizitorët. Ky është një investim nga EU4Culture të cilin ne e përfituam pas tërmetit të 2019, është një ndër objektet që ka pasur një rëndësi mjaft të veçantë në qytetin tonë. Me hamamin ne mbushim një pazëll që na mungonte në pjesën historike të qytetin tonë”, u shpreh Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeore Durrës.
Gjatë tërmetit të vitit 2019, Hamami pësoi dëmtime serioze dhe u përfshi në listën e monumenteve që do të restauroheshin me fondet e BE-së.
I dëmtuar nga tërmeti mbeti edhe Muzeu Arkeologjik, ku prej tre vitesh vazhdojnë punimet për restaurimin. Muzeu pritet të rihapet për vizitorët në vjeshtën e këtij viti.
“Muzeu pritet të hapet shumë shpejt, është drejt përfundimit të punimeve. Kur të hapet do të kenë të gjithë mundësinë të vini ta vizitoni”, u shpreh Ramohitaj.
Hamami ndodhet në krah të bulevardit “Epidamn”. I vendosur vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij antik, banjave romake, hamami funksionoi për herë të parë deri në fund të shekullit XIX.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




