Rijetëzohen rezidencat qeveritare në Vlorë e Velipojë, Rama: Asete shtetërore që do rrisin turizmin dhe ekonominë
Rezidencat qeveritare do të marrin “jetë” përmes projektit të rijetëzimit që do i japë hov jo vetëm sektorit turistik, por edhe atij ekonomik të vendit.
Pas transformimit të Vilës 30 dhe Vilës 31, dy rezidenca qeveritare do i nënshtrohen projektit të rijetëzimit, me qëllim rimëkëmbjen dhe modernizimin e tyre, sikurse është vila e ish-diktatorit Enver Hoxha në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe një tjetër vilë në zonën e Velipojës.
Këto dy rezidenca qeveritare, sipas kryeministrit Edi Rama janë asete shtetërore të cilat përmes bashkëpunimit shtet-privat do të shërbejë jo vetëm për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, por edhe për njohjen e historisë së shtetit shqiptar, dhe rritjen e të ardhurave të vendit.
“Njëri për vilën e udhëheqësit dhe diktatorit shqiptar në Vlorë dhe tjetri për një tjetër rezidencë qeveritare në zonën e Velipojës. Është një rrugë e re që po e shkelim me sukses dhe po shohim potencialin e madh të vënies në shfrytëzim të aseteve shtetërore për ta përfshirë publikun përmes shtetit si palë e interesuar, duke ndryshuar dhe formulat e ndërveprimit me privatin, që deri dje kanë qenë bazike të drejtpërdrejta dhe e kanë privuar shtetin nga shumë kapacitete për të krijuar të ardhura.
Duke e vënë shtetin në rolin e pronarit të zakonshëm si palë në sipërmarrje, ne po zhvillojmë një infrastrukturë të re financiare për shtetin duke u bazuar në modelet më të mira në Europë”, deklaroi Rama.
Nga ana e saj, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, tha se asetet shtetërore do të shërbejnë si vende arti, kujtese, dokumentimi dhe edukimi. Po ashtu, theksoi ministrja, falë shfrytëzimit të këtyre aseteve të çmuara, do gjenerohet edhe ekonomia.
“Vende që i la trashëgim periudha e hidhur e historisë sonë, zgjuarsi ta rikthesh në vlerë. Janë sot vende arti dhe kujtese, vende dokumentimi dhe edukimi.
Vende që gjenerojnë ekonomi. Dhe ku tjetër te ajo që është sot, industria më e gjallë dhe më e suksesshmja, industria e turizmit apo mikpritjes. Vila 31, vila 30 janë sot stacione turistike në Tiranë dhe mënyra më e mirë për t’i folur një brezi ku diktatura ju duket gjithnjë e më e largët.
Duhet ta përkthejmë sot për të mos e harruar në kode komunikimi për brezat e rinj. Mënyrë për të komunikuar e zhvilluara e gjeneruar ekonominë. Duam të prezantojmë e rijetëzojmë, Shqipërinë që ishte, është dhe po bëhet”, deklaroi Kumbaro.
Projekti “Hospitality Albania” realizohet falë Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe konsiston në zhvillimin dhe transformimin e pronave shtetërore në atraksione turistike. 7 Finalistët e Fazës II prezantojnë sot përpara një Jurie ndërkombëtare projekt-idetë arkitekturore për rimëkëmbjen dhe modernizimin e rezidencave qeveritare, nga struktura të amortizuara me kosto të lartë mirëmbajtjeje, në destinacione ekskluzive dhe tërheqëse për turizmin elitar dhe pritjen e personaliteteve të rëndësishme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





