“Rally Albania 2025” nis nga Shkodra, mundësi për promovimin e turizmit dhe vlerave të vendit
Nga Shkodra ka startuar edicioni i 21-të i RallyAlbania, eventi më i madh i garave motorike në vend dhe një nga më të njohurit në Ballkan. Për shtatë ditë me radhë, pilotë nga vende të ndryshme të botës do të përshkojnë terrenet më të vështira dhe panoramat më të bukura që ofron Shqipëria, në një sfidë që bashkon adrenalinën me aventurën.
Me dhjetëra automjete dhe motorë të specializuar për gara në terrene të thyer, RallyAlbania këtë vit ka zgjedhur pikërisht Shkodrën si pikënisje simbolike të këtij udhëtimi sfidues, duke promovuar jo vetëm sportin ekstrem, por edhe turizmin në Shkodër. Pilotët u mirëpritën në këtë nisje të eventit nga Nën Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, e cila vlerësoi këtë event por edhe mikpritjen që ato gjejnë në Shkodër.
“Dua t’ju përshëndes dhe uroj një adrenalinë të fortë që ta merrni me vete kudo që të shkoni në Shkodrën tonë të dashur dhe të bukur. Pamjen tonë mahnitëse të natyrës, kulinarin tonë të përzgjedhur më dëshirën që të jini edhe ju promotorë të turizmit tonë”, tha ajo.
Pjesëmarrësit do të kalojnë nëpër qytete, male dhe zona të thella të vendit, përpara se të përmbyllin garën në Tiranë. Organizatorët theksojnë se ky edicion do të ketë më shumë etapa, më shumë kilometra dhe një rritje të konsiderueshme të pjesëmarrësve nga jashtë.
“Një urim të veçantë e kam për gocat garuese që këtë herë janë 3 dhe shpresoj që nga viti në vit të shtohen. Ju roj të gjithëve suksese dhe të kalojmë bukur së bashku këto ditë të garës”, tha Julia Dhame nga RallyAlbania
RallyAlbania nuk është vetëm një garë, por një aktivitet që gjallëron jetën ekonomike dhe turistike të zonave ku kalon, duke promovuar Shqipërinë si destinacion për sportet motorike dhe aventurat ekstreme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




