Nis asfaltimi i hyrjes së re të Shkodrës, projekti premton transformim urban

Punimet për hyrjen e re të Shkodrës po vijojnë me intensitet, ku ka nisur edhe hedhja e shtresave asfaltike për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve. Këtë zhvillim e ka bërë të ditur tw enjten Kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga kantieri.
“Kantieri i punimeve për hyrjen e re të Shkodrës, ku ka nisur hedhja e shtresave asfaltike për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve,” shkruan Rama.
Ky projekt i rëndësishëm, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe i mbështetur nga qeveria, ka si qëllim transformimin e kësaj zone kyçe të qytetit në një hapësirë shumëfunksionale dhe argëtimi.
Përveç përmirësimit të infrastrukturës rrugore, projekti ambicioz përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh. Ky park do të ofrojë mjedise moderne dhe argëtuese, duke përfshirë:
• Mjedise sportive
• Shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta
• Pika panoramike për të shijuar pamjet mahnitëse të liqenit
• Hapësira për aktivitete dhe koncerte
Gjithashtu, pjesë e këtij projekti janë edhe ndërtimi i fushave të reja sportive dhe një mol i ri, i cili do të sigurojë lidhje me mole të tjera ekzistuese në Shirokë dhe Zogaj. Kjo do të pasurojë ofertën turistike dhe rekreative të zonës.
Me përfundimin e këtyre punimeve, hyrja e Shkodrës pritet të marrë një pamje krejtësisht të re, duke shërbyer jo vetëm si një rrugë hyrëse, por edhe si një qendër e re për argëtim dhe rekreacion për banorët dhe vizitorët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.










