Anija e ekspeditave në Durrës – “National Geographic Orion”, një përvojë unike në Adriatik
Për herë të parë në portin e Durrësit ka mbërritur anija turistike “National Geographic Orion” e cila ka në bord 108 turistë amerikanë. Kjo anije luksoze është e specializuar për udhëtime eksploruese e pajisur me kajakë, një flotë dhe një automjet të drejtuar nga distanca me pajisje të sofistikuara video sjell përvoja unike, duke përfaqësuar një linjë të re turizmi për të pasionuarit pas udhëtimeve.
Në vizitën e saj për herë të parë në Durrës, kapiteni i portit, Taulant Allka bëri një vizitë në bord, ndërsa i dhuroi kapitenit të krocerës edhe pllakatën e mirëseardhjes.
“Të 108 pasagjerët të cilët janë të shtetësisë amerikane, kanë lënë portin e Durrësit që në orën 6 të mëngjesit dhe janë duke vizituar Shqipërinë. Për këtë vit kjo linjë do të prek edhe 5 herë të tjera portet e Shqipërisë”, u shpreh Allka.
Kapiteni i anijes turistike, Alex Dudov tha se ndihet shumë i lumtur që ankoroi në Durrës dhe shpreson që të vijë edhe shumë herë të tjera në Shqipëri.
“Shqipëria është një vend i veçantë në detin Adriatik . Ne vijmë këtu pasi kemi parë Greqinë, Malin e Zi dhe Kroacinë. Do të kujdesem për miqtë e mi tu tregoj Shqipërinë reale. Mendoj sa më shumë të punoni në drejtim të saj, aq më shumë turistë dhe vizita të tilla do të ketë në të ardhmen”, u shpreh kapiteni.
Turistët pas mbërritjes në port u drejtuan për të vizituar pikat turistike në Durrës, Tiranë, Krujë si dhe lagunën e Karavastasë në Divjakë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





