Raste të izoluara të murtajës tek gjedhët, autoritetet garantojnë ndjekjen e çdo rasti edhe në tregje
Autoritetet e vendit bëjnë thirrje për ndjekjen nga afër të situatës së prekjes së gjedhëve nga murtaja.
Në një intervistë për televizionin publik, zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari, deklaroi se situata është nën kontroll, përfshirë konstatimi i vatrave të reja.
“Ka arritur në 10 numri i vatrave të prekura nga sëmundja. Dje kemi evidentuar vatrën e Shkodrës me një tufë dhish që mbarështoheshin në stallë, me regjim stallor. Edhe kjo vatër, sipas planit të kontingjencës, është tashmë e vendosur në karantinë dhe të gjitha kafshët do të eliminohen. Numri i kafshëve të eliminuara deri sot ka arritur 1.680. Ndodhemi përsëri në situatën ku sëmundjen e kemi nën kontroll. Janë kontrolluar tregjet dhe në to nuk ka më lëvizje të kafshëve të gjalla,” tha z. Jaupllari.
Sipas zv.ministrit, nuk kemi ende një plan vaksinimi.
“Jemi duke diskutuar dhe duke bërë një plan B edhe për këtë rast. Nëse Bashkimi Europian do të na mbështeste me vaksina – ata kanë bankën e tyre të vaksinave. Me ekspertët e BE-së edhe dje kemi pasur një takim online, por nuk jemi në kushtet e vendosjes se çfarë do të bëhet me vaksinimin,” tregoi z. Jaupllari.
Po ashtu në shqyrtim të administratës është edhe mundësia e pagesave për bagëtitë e prekura që duhen eliminuar.
“Po shikojmë mundësinë për t’i mbështetur. Jemi akoma shpejt për të diskutuar për gjëra teknike dhe që të vendosim se çfarë do të bëhet me kafshët e eliminuara,” shtoi zv.ministri.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




