Xhamia e Ballies në Elbasan më e bukura në botë për 2025, ndër objektet më të vizituara në këtë rajon
E ndërtuar në vitin 1608, e shembur nga diktatura dhe e rikthyer në vëmendje pas rikonstruksionit , Xhamia e Ballies në Elbasan është ndër objektet e kultit më të vizituara në këtë rajon.
Dhe kjo e ka një shpjegim. Kjo xhami është dhe fituese e çmimit të parë për “Arkitekturën më të bukur fetare në botë” në garën ndërkombëtare “Building of the Year 2025” të organizuar nga “ArchDaily”, platforma më e madhe globale për arkitekturë dhe dizajn.
Pas marrjes së çmimit ka pas një interes të gjithanshëm, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia për ta vizituar xhaminë. “Kemi pasur interes nga të huajt, sidomos nga Gjermania, nga Europa në përgjithësi. Kemi pasur vizitorë edhe nga Lindja e Largët”, tha Agim Duka, Myfti i Elbasanit.
Ndër vizitorët më të fundit ishin një grup fëmijësh nga Tirana. Drejtuesja dhe shoqëruesja e tyre, znj. Anisa Ymeri, theksoi rëndësinë që ka edukimi i brezit të ri me vlerat dhe pasurinë kulturore.
“Pavarësisht besimit fetar që i përkasin secili fëmijë që është këtu, besoj fort që ne si edukues të tyre duhet t’i përcjellim vlera të plota të kulturës sonë që të jenë tolerantë, ashtu sikurse ne mendojmë që ne jemi në vendin tonë. Të njohin besimet e njeri tjetrit dhe rregullat që ka çdo besim”, tha Ymeri.
Xhamia e Ballies në Elbasan është e vetmja godinë kulti në të gjithë Evropën e cila është përzgjedhur ndër 5 më të bukurat në konkursin prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025.” Hartuesit e këtij projekti janë kujdesur që të ndërthurin elementë të arkitekturës moderne me traditën shpirtërore të besimit islam.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




