Shtetasit e huaj “hipotekojnë” Sarandën, realizojnë 95% të blerjeve në qytet

Turizëm | 1 vit më parë

Saranda,  vit pas viti, nuk frekuentohet vetëm për bregdetin dhe klimën. Gjithnjë e më tepër, ajo  është kthyer në një destinacion për blerje pasurish të paluajtshme, kryesisht nga të huaj. Statistikat flasin se 95% e blerjeve të apartamenteve apo trojeve në Sarandë realizohen nga shtetas të huaj.

“Numrin më të madh që ne kemi investitorët janë të huaj dhe jo shqiptar të diasporës”, u shpreh agjenti imobilar, Bledi Lapa.

Por çfarë i tërheq të huajt drejt Sarandës? Së pari, pozicioni gjeografik, “portat” e Evropës, me afërsinë me Korfuzin, u jep atyre siguri dhe akses të lehtë përmes portit dhe aeroportit.

“Lidhje që ne kemi me Evropën është si detare ashtu ajrore duke u lidhur me Greqinë”, tha ai.

Një tjetër arsye janë çmimet konkurruese, shumë më të ulëta krahasuar me rajonin. Për më tepër, procedurat ligjore janë të thjeshta dhe shpesh mbyllen brenda një muaji.

“Shqipëria është në tregun e pasurive të paluajtshme me çmimet më të mira dhe kjo ka bërë që dhe turistët e huaj të zgjedhin Shqipërinë si destinacion”, tha Lapa.

Për të huajt, vera nuk është vetëm kohë për relaks. Shpesh është periudhë eksplorimi përmes agjencive imobilare, ata kërkojnë, shikojnë dhe bëjnë llogaritë. Kur vera përfundon, vjeshta sjell vendimet nga shtatori në dhjetor, shumë prej tyre bëhen pronarë të rinj në Sarandë.

Gazetar: Th. Nika

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme