Netët verore në rrugët e kalldrëmta, turistët shijojnë atmosferën magjike në Gjirokastër
Mbrëmjet e verës në Gjirokastër kanë një atmosferë të veçantë, ku historia dhe argëtimi bashkëjetojnë mes kalldrëmeve dhe dritave të ngrohta të qytetit.
Lokalet mbushen me turistë vendas e të huaj që zgjedhin të shijojnë ushqimin tradicional, muzikën dhe freskinë e netëve gjirokastrite. Administratorët e bizneseve shprehen se kjo është periudha më aktive e vitit, ndërsa vetë turistët ndihen të mahnitur nga bukuria dhe qetësia që Gjirokastra ofron pas perëndimit të diellit.
“Kam vizituar shumë qytete në Europë, por kjo mbrëmje në Gjirokastër kishte një ndjesi të veçantë. Ishte si të zbulosh një perlë të fshehur, ku historia, kultura dhe mikpritja bashkohen në mënyrë magjike”, tha një turist.
“Ndërsa ecja nëpër shesh, i mbushur me drita dhe muzikë, ndihesha sikur isha pjesë e diçkaje të rëndësishme. Kjo nuk ishte thjesht një festë, por një përjetim që do ta mbaj mend gjatë”, u shpreh një turiste.
“Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe nuk e prisja të ndihesha kaq mirëpritur. Njerëzit janë të dashur, ushqimi është i mrekullueshëm”, tha një tjetër turiste.
Administratorët e lokaleve shprehen se mbrëmjet e verës janë kulmi i aktivitetit, ku mikpritja dhe atmosfera e veçantë e qytetit janë çelësi i suksesit.
“Mbrëmjet janë shumë të bukura, sidomos ku ka organizime, duket sikur Gjirokastra dhe pazari janë si një magji”, tha administratorja e njw lokali.
“Mbrëmjet në Gjirokastër janë shumë të bukura, gjithmonë ka aktivitete”, u shpreh administratori i një tjetër lokali.
Nga ushqimi tradicional te muzika, nga bisedat shumëgjuhëshe te rrugicat plot jetë, Gjirokastra di ta tregojë veten edhe në mbrëmje. Mbrëmjet verore këtu nuk janë vetëm një pushim, janë një eksperiencë. Dhe për turistët që zgjedhin këtë qytet, janë pikërisht këto çaste që i bëjnë të duan të kthehen sërish. Një mbrëmje si kjo në Gjirokastër, ku tradita dhe jeta moderne bashkëjetojnë deri natën vonë.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





